Ballina Aktualitet

SPAK reagon zyrtarisht për hetimin ndaj Erion Veliajt

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka reaguar sot zyrtarisht në lidhje me hetimet që kryhen për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

SPAK bën të ditur se “mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024 – i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal nr. 27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë””.

Sipas SPAK “informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u regjistrua procedimi penal i mësipërm”.

“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal”, njofton SPAK.

SPAK sqaron se “këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIRAN – Policia arreston një gazetare italiane
Artikulli tjetërNorma e interesit të depozitave në lekë zbriti me 0,02%