TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Albcontrol çel tenderin me vlerë 16,2 milionë lekë për gjetjen e një kompanie që do të kryejë studimin e fizibilitetit për infrastrukturën e trafikut ajror në Aeroportin e Kukësit.
Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, kompanitë kanë afat për shprehjen e interesit deri më 29 janar 2025.
Shqipëria ka hapur aeroportin e saj të dytë ndërkombëtar në Kukës me mbërritjen e fluturimit të parë të pasagjerëve të operuar nga linja ajrore Air Albania.
I nisur nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, fluturimi i pasagjerëve fillimisht u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), më pas aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit, të quajtur “Zayed – Flatrat e Veriut”.
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, i cili përfshiu një investim total prej 28.7 milionë dollarësh, ndodhet 90 milje në verilindje të kryeqytetit të Shqipërisë. Dikur ishte vendi i strehimit për shumë refugjatë shqiptarë të Luftës së Kosovës në vitin 1999.
Ai ka një pistë të vetme dhe tre vende parkimi për avionë.
/r.e/






















