Ballina Flash

Shqipëria destinacion gjithëvjetor, mbi 11 milionë të huaj deri në nëntor

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Trendi i flukseve të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë vijon të shënojë rritje.

Në raportin e publikuar nga Instituti i Statistikave Kombëtare bëhet e ditur se mbi 11 milionë të huaj vizituan vendin tonë nga janari deri në nëntor.

Shifrat tregojnë interes të shtuar të të huajve për të vizituar Shqipërinë edhe gjatë vjeshtës. Përtej magjisë së bregdetit, historia, kultura, tradita, por dhe kulinaria janë të tjera arsye se përse të huajt po zgjedhin Shqipërinë edhe gjatë kësaj periudhe.

Pas Tiranës, zona të frekuentuara nga të huajt janë Valbona, Razma, Voskopoja, Thethi, Lezha, Gjirokastra, Berati e mjaft destinacione të tjera.

Sipas raportit të INSTAT mbi “Lëvizjet e shtetasve”, gjatë muajit nëntor vendi ynë u vizitua nga 604 mijë e 332 të huaj.

Një vit më parë vendi ishte vizituar gjatë muajit nëntor nga 547 221 të huaj.

Referuar të dhënave, në nëntor, 96 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, ose 10,5 milionë janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 85 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5 %.

Rreth 97 % e të huajve që hynë në territorin shqiptar, deklaruan se deklaruan se janë për qëllime personale, ku dominojnë pushimet dhe vizitat te të afërmit.

Në nëntor, ky tregues ka shënuar një rritje me 9,3 %, krahasuar me nëntorin e 2023.

Rritje të ndjeshme në muajin nëntor kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 89,4 %.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Macron shpall qeverinë e katërt të vitit
Artikulli tjetërFOKUS – Sllovakia blen nga Izraeli sisteme të mbrojtjes ajrore me vlerë 550 milionë dollarë