Ballina Flash

Shefi i NATO-s për sulmin në Ibër-Lepenc: Përgjegjësit të vendosen para drejtësisë

PRISHTINË, 16 dhjetor/ATSH/  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje të hënën që përgjegjësit e sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës muajin e kaluar, të sillen para drejtësisë.

“Sulmi në kanalin ujor në veri të Kosovës, më 29 nëntor, nënvizon se sa i brishtë është stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, tha Rutte gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiç, në Bruksel, shkruan REL, transmeton KosovaPress.

Shpërthimi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut – prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e cilësuan atë si më të rëndin në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.

Autoritetet kosovare janë duke e hetuar shpërthimin, për të cilin e akuzojnë Serbinë.Serbia i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se edhe vetë ajo po e heton këtë sulm. Rutte e tha se “tani është thelbësore që të nxirren faktet” rreth sulmit dhe përgjegjësve të mundshëm.

Ai theksoi se dëshiron ta falënderojë komandantin e KFOR-it për “dislokim të shpejtë” të trupave për të mbrojtur infrastrukturën kyçe të Kosovës.

“Mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë që KFOR-i të përmbush mandatin e tij të OKB-së”, theksoi Rutte. KFOR – i cili ka rreth 4.700 ushtarë – është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.Ndryshe, një shpërthim ka ndodhur më 29 nëntor në veri të vendit dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se sulmi është terrorist e kriminal dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia. SHBA dhe QUINT e kanë dënuar sulmin.

/Kosovapress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakU thirr nga Prokuroria Speciale, Kurti: Do të shkoj në një koncert
Artikulli tjetërVlorë, vijon puna për kalimin e tokës bujqësore nga përdorim, në pronësi