Ballina Aktualitet

Bardhi: Të thërrasim në seancë dëgjimore kryetaren e Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli sot në Kuvend edhe për çështjen e mandatit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Bardhi ka kërkuar që Zaçaj të thirret në seancë plenare ose në Komisionin e Ligjeve ku të mund të japë më shumë shpjegime, pas pretendimit të saj dhe një deklarate për mediet, ku u shpreh se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë nga presioni politik dhe mediatik.

“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar se ka presion politik mbi anëtarët e gjykatës. Mua më shqetëson kjo çështje, që ngre pikëpyetje mbi ekzistencën e dy institucioneve të larta, prandaj ne nuk duhet të qëndrojmë jashtë këtij debati. Ne duhet të kemi një seancë urgjente dëgjimore të kryetares së Gjykatës. Ne nuk do duhet si Kuvend të qëndrojmë jashtë këtij debati që po e fut Kushtetuesen e Shqipërisë në një ngërç kushtetues. Mund ta fusë Shqipërinë në një rrugë ku të kemi disa anëtarë të GJK, disa që mbajnë zyrën me dhunë, disa të tjerë që zgjidhen nga organet e emërtesës duke sjellë pasoja për shtetin. Kjo mund të na krijojë probleme në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, u shpreh Bardhi.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thirri sot mbledhjen e gjyqtarëve për deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, ndërsa deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë nga presioni politik dhe mediatik që funksioni i saj si mbrojtës i parimeve kushtetuese të jetë i fortë dhe i besueshëm.

Në një deklaratë për mediet pasditen e sotme, Holta Zaçaj sqaroi se nisur nga sulmet e paprecedente në medie për atë personalisht si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, njofton publikun në lidhje me afatin e qëndrimit në detyrë. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJORDANI – Blinken bën thirrje për një tranzicion jo të dhunshëm në Siri
Artikulli tjetërBE-ja do t’i bëjë thirrje Kosovës ta fillojë pa vonesa themelimin e Asociacionit