Ballina Flash

Akademia e Shkencave, konferencë për mbrojtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë kulturore

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Instituti i Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave ka zhvilluar sot një konferencë shkencore me temë “E kaluara në të tashme, ruajtja, digjitalizimi dhe rëndësia e fondeve etnografike dhe arkivave të trashëgimisë kulturore në bashkëkohësi”.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skënder Gjinushi; prof. asoc. Olsi Lelaj, drejtor i Institutit të Antropologjisë; prof. asoc. dr. Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave; dr. Gentiana Sula (Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit); Devis Xhaja, drejtor i Drejtorisë së Arkivave në RTSH, si dhe studiues, arkivistë, kuratorë e përfaqësues të komuniteteve të ndryshme kulturore.

Akademiku Skënder Gjinushi foli për rëndësinë e ruajtjes së koleksioneve arkivore të fondeve të trashëgimisë kulturore dhe arkivave në tërësi në shoqërinë e sotme dhe rëndësinë e digjitalizimit për të zgjeruar aksesin e publikut dhe për të siguruar jetëgjatësinë e koleksioneve etnografike, trashëgimisë kulturore apo dokumenteve.

Gjatë zhvillimit të kësaj konference, u mbajtën referate mbi politikat e ruajtjes së dokumentit arkivor, për punën që është bërë për kalimin nga dokumenti fizik tek ai digjital, konservimin dhe zbardhjen e së vërtetës historike, si dhe për politikat e digjitalizimit në RTSH.

U diskutua për rëndësinë e restaurimit të trashëgimisë filmike shqiptare përkundrejt stigmatizimit që karakterizon artin e krijuar nën diktaturë, dokumentimin dhe regjistrimin e objekteve ne muze. U trajtuan, gjithashtu, disa çështje themelore të arkivave të Institutit të Antropologjisë, e ardhmja e fondeve etnografike, muzeu digjital midis sfidave dhe mundësive, sfidat e ruajtjes dhe digjitalizimit të trashëgimisë kombëtare filmike, etj.

Një çështje me interes ishte rijetëzimi i koleksioneve etnografike në bashkëkohësi. Pjesëmarrësit diskutuan strategjitë dhe metodologjitë për ruajtjen e materialeve etnografike, trashëgimisë kulturore apo dokumenteve. Më tej u fol dhe u diskutua për digjitalizimin dhe ‘open access’, si dhe për ekzaminimin e iniciativave të digjitalizimit. Në fund, u diskutua për rolin e koleksioneve etnografike, fondeve të trashëgimisë kulturore dhe arkivave në tërësi në shoqërinë e sotme. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Fuqitë evropiane premtojnë garanci sigurie për Ukrainën
Artikulli tjetërBasha: Opozita në moment të vështirë për shkak të problemeve të shkaktuara nga Berisha