BERLIN, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Gjermania dhe vendet e tjera evropiane u zotuan sot t’i ofrojnë Ukrainës garanci të qëndrueshme sigurie – nëse zhvillohen negociatat për një armëpushim pasi presidenti amerikan Donald Trump të marrë detyrën.
Në të ashtuquajturën Deklarata e Berlinit, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Polonisë, Italisë, Spanjës dhe Britanisë së Madhe – si dhe shefja e punëve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas theksuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kievin.
“Ne jemi të përkushtuar t’i ofrojmë Ukrainës garanci të hekurt sigurie, duke përfshirë sigurimin afatgjatë të mbështetjes ushtarake dhe financiare”, thuhet në deklaratë.
Takimi në Berlin u organizua nga ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.
Grupi i fuqive evropiane u mblodh për të diskutuar hapat për të forcuar Ukrainën në rast se Trump do të shkurtonte ndihmën ushtarake për Kievin – pas marrjes së detyrës më 20 janar dhe do të nxiste një armëpushim me Rusinë, siç ka thënë më herët.
“Të bindur se paqja në Ukrainë dhe siguria në Evropë janë të pandashme, ne jemi të vendosur të qëndrojmë të bashkuar me partnerët tanë evropianë dhe transatlantikë për të menduar dhe vepruar gjerësisht për sigurinë evropiane”, thuhet në deklaratë.
“Këtu në këtë rreth, ne jemi unanim. Ukraina ka nevojë për garanci të qëndrueshme sigurie”, tha Baerbock përpara takimit.
Garancitë për Kievin do të dërgonin një “mesazh të qartë”. Ne mbrojmë sigurinë dhe të ardhmen e kontinentit tonë evropian”, tha ajo. //a.i/





















