Ballina Aktualitet

“Qytetarët të raportojnë çdo rast korruptiv”, Binaj: Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, zvogëloi mundësinë e korrupsionit

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/  Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj deklaroi sot se për të ulur korrupsionin në administratën tatimore mund dhe duhet të bëhet më shumë.

Në fjalën e tij në tryezën “Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në sektorët me risk të lartë në qeverisjen qendrore dhe vendore” e organizuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Binaj tha se “besoj se për të ulur korrupsionin duhen konsideruar 3 faktorë, mundësia për të bërë korrupsion, presioni financiar i nëpunësve të administratës tatimore dhe arsyetimi i korrupsionit”.

“Në 10 vitet e fundit janë ndërmarrë shumë nisma për të ulur mundësinë për të bërë korrupsion duke digjitalizuar të gjitha shërbimet tatimore dhe duke ulur kontaktin fizik me tatimpaguesit. Shërbimet virtuale e kanë zvogëluar mundësinë e korrupsionit duke e reduktuar atë përgjithësisht vetëm gjatë kontrolleve tatimore. Në lidhje me kontrollet tatimore në vend Administrata Tatimore është përpjekur të ulë numrin e tyre duke kaluar me kontrollet nga zyra , por niveli i lartë i informalitetit e bën këtë pothuajse të pamundur dhe jemi të detyruar të bëjmë më shumë kontrolle në terren për të adresuar këtë problem kritik sidomos lidhur me pagat”, nënvizoi Binaj.

Binaj bëri të ditur se “tashmë ne kemi filluar aksionin e informalitetit më shumë për pensionet dhe deri tani nuk kemi marrë ankesa nga tatimpaguesit për raste korruptive. Lusim qytetarët të raportojnë çdo rast korruptiv që evidentohet gjatë kontrolleve tona. Strukturat tona antikorrupsion janë aktive në këtë aksion duke intervistuar tatimpaguesit pas kontrollit për sjelljen e inspektorëve tanë”.

“Presioni financiar lidhet me gjendjen financiare të çdo nëpunësi të administratës tatimore. Duke konsideruar kostot e jetesës presioni financiar mbetet i lartë me gjithë rritjen domethënëse të pagave gjatë këtij viti. Besoj se pa adresuar plotësisht problemet financiare të nëpunësve civile risku ndaj akteve korruptive do të mbetet i lartë dhe për të ulur këtë risk do të duhet të ushtrohen më shumë investigime të brendshme nga strukturat tona monitoruese”, theksoi Binaj.

Sa i përket arsyetimit të korrupsionit, Binaj tha se “faktori i fundit që duhet konsideruar është aftësia e nëpunësve të tatimeve për të racionalizuar sjelljen korruptive”.

“Për të adresuar racionalizimin e sjelljes korruptive Administrata Tatimore ka hartuar plane për të përmirësuar integritetin e nëpunësve të saj nëpërmjet trajnimeve , investigimit të çdo rasti që paraqitet për korrupsion. Korrupsioni në tatime ka një lidhje të fortë me informalitetin duke krijuar një rreth vicioz mes tyre”, tha Binaj.

 

/k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPr.ligji për ndarjen e Hekurudhës Shqiptare, Gështenja: Ju flisni për menaxhim, por s’keni trena
Artikulli tjetërAKBN monitoron impiantet hidroenergjetike në qarqet Korçë, Elbasan dhe Berat