Ballina Ekonomi

Turqia, asistencë teknike në bujqësi, zhvillim rural dhe siguri ushqimore

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Një delegacion nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i kryesuar nga zëvendësministri Arian Jaupllari, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara, ku u prit nga homologu turk, Ahmet Bağcı.

MBZHR njoftoi se takimi u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore.

Gjatë takimit, u diskutua për disa fusha kyçe të bashkëpunimit, për të cilat pala turke premtoi asistencë teknike, konkretisht për skemat e mbështetjes për fermerët; funksionimin e skemës së sigurimit në bujqësi; gjurmueshmërinë në mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve, duke garantuar sigurinë e konsumatorit “nga ferma në tavolinë,” si dhe modernizimin dhe funksionimin e laboratorëve për kontrollin e zinxhirit ushqimor.

Ekspertët e të dy vendeve shkëmbyen përvoja dhe modele praktike mbi proceset e mbështetjes së fermerëve dhe sigurisë ushqimore, në vijim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar disa muaj më parë në Tiranë. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBardhi: Gjobat për ndërtime për strehim janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese
Artikulli tjetërQKLL, aktivitet kushtuar patriotit Petër Prifti