Ballina Ekonomi

Anulimi i gjobave, Braçe: Përfitojnë qytetarët dhe bizneset e gjobitura në periudhën 1 janar 2015-30 nëntor 2024

Erion Braçe, Kryetari i Komisionit të Dezinformimit


TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe bëri të ditur sot se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka punuar për hartimin e projektligjit për anulimin e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale prej një viti.

Nga ky projektligj përfitojnë qytetarët dhe bizneset që janë gjobitur nga 1 janari i vitit 2015 e deri më 30 nëntor 2024.

Sipas tij, projektligji i propozuar parashikon anulimin e të gjitha masave administrative (gjobat) e vendosura për ndërtime për qëllime strehimi, përmirësimin e strehimit, për qëllime dhe nevoja të punës në bujqësi e blegtori; anulimin e të gjitha masave administrative (gjobat) të vendosura ndaj aktiviteteve prodhuese, përpunuese, tregtuese, eksportuese bujqësore e blegtorale; këto vetëm në zonat rurale.

“Shqip, në fshat”, tha ai.

Sipas Braçes, projektligji parashikon edhe anulimin e të gjitha masave administrative (gjobat) të vendosura gjatë kohës së pandemisë, për mosrespektim të rregullave të vendosura për administrimin e COVID-19 dhe pasojave të tij.

Ai u shpreh se nuk e kuptonte qëndrimin e opozitës sot në sallën e Kuvendit kur u njoftua diskutimi me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji.

“Për çfarë po bërtisni? Jeni kundër apo çfarë? Popullit të fshatit dua t’i them se prej fundit të këtij muaji, ky ligj do hyjë në fuqi”, tha Braçe.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“GenCast” modeli i ri i motit që ofron parashikime 15-ditore
Artikulli tjetërInteligjenca Artificiale në zgjedhje, Celibashi: Analizuam si mund të rrisë transparencën dhe efikasitetin