TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim për pastrim parash.
31-vjeçari me iniciale M.A, banues në Elbasan u arrestua në kuadër të operacionit “Resource”, ndërsa gjykata e Elbasanit, më datë 1 dhjetor të këtij viti i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas policisë, është bërë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.
Policia bën me dije se 31-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /j.p/






















