TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e parkut tematik retro “Divizioni”.
Gjatë prezantimit të projektit, Rama bisedoi me disa prej banorëve të pranishëm, duke e cilësuar këtë projekt një kryevepër.
“Bulqiza ka bërë një gjë shumë të madhe i ka treguar të gjithë burrave që kur gratë duan ta marrin pushtetin e marrin”, tha Rama duke iu referuar zgjedhjes në krye të bashkisë të Festime Mjeshtrit.
Ndërsa duke iu referuar pronarit të kompanisë “Ulza”, që do të ndërtojë këtë park Rama tha se “ky është demokrat denbabaden dhe pastaj u bë demokristian, pastaj ngeli vetë kristian se e la në rrugë partia e madhe, por me partinë e punës, me ne domethënë, e bashkon puna kështu që e keni “shalqi me provë”. Ka bërë një kryevepër në Ulzë, se Ulza e ka edhe kompania tani ka zbritur këtu dhe do e shikoni që kjo do të jetë një kryevepër”.
Kryeministri Rama u shpreh se “ajo që mua më jep më shumë kënaqësi është dita kur ju do të jeni në kafe atje e do shihni këtu gjithë turistët që do vijnë, do hyjnë e do dalin e do lenë lekë këtu që do marrë pastaj Festa taksa nga ato, e që do bëjë më shumë për ju .S’do shihni më këtë rrëmujën e komunizmit që na i lanë këta demokratët”.
Ndërsa gjatë prezantimit të këtij projekti, Rama tha “ky park përbën një model inovativ të zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët”.
“Divizioni” do të jetë një destinacion turistik mikpritjeje, me treg turistik prodhimesh të zonës, hoteleri dhe shërbime, për ata që do të duan të ndalen kalimthi, apo të qëndrojnë më gjatë në eksplorimin e natyrës së kësaj zone.
/k.s/j.p/






















