TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Prokuroria e Tiranës ka përfunduar shqyrtimin e ngjarjes së ndodhur pak muaj më parë në Oborrin Mbretëror dhe kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Princin Leka Zogu II.
Në pretencën e dhënë, Prokuroria kërkon gjithashtu 6 muaj heqje lirie për ish-bashkëshorten e Princit, Elia Zaharinë dhe për babanë e saj, Gjergj Zaharinë.
Megjithatë, nëse tre të akuzuarit shpallen fajtorë, organi i akuzës kërkon që dënimi t’u konvertohet në shërbim prove. Seanca në gjykatë është caktuar në 13 dhjetor.
Princ Leka, ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i kësaj të fundit, Gjergj Zaharia, akuzohen për dhunë në familje. Hetimet nisën pas publikimit të një videoje dhe kallëzimit në prokurori për dhunë në familje.
Ndërkohë, më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur.
/k.s/j.p/






















