Ballina Aktualitet

Rama ndan momente nga takimi me pensionistët në Korçë

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në Korçë për të vazhduar turin e takimeve me pensionistët nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Rama ndau më pas në rrjetet sociale momente nga bashkëbisedimi i tij me pensionistët në Korçë, momente nga takimi me ta dhe fjalimi me fokus rritjen e pensioneve, rritjen e numrit të kontribuesve dhe gjithashtu rishikimin e bonusit të fundvitit.

Kryeministri theksoi faktin se reforma në pensione ka sjellë një rritje të dukshme në nivelin e pensioneve në vend.

“Ne bëmë reformën, e cila ka bërë që tavani i atëhershëm prej 24 mijë lekësh të zhbëhet dhe ne sot kemi pensionistë që marrim edhe 300, 350 edhe 400 mijë lekë për shkak të kontributeve. Por, kemi edhe një pasqyrë diferencimi, për mësuesit që kanë dalë para dhe pas 2014-ës, ata që kanë dalë pas kanë pension më të lartë. Ne mund të flasim dhe shprehim dëshira, por me faktet nuk luftojmë dot! Këtu në mexhlisin ku bëhen debatet, çdo lloj gënjeshtre përcillet si fakt. Prandaj thuhet që një skemë pensionesh është fatura e një gjenerate për mirë apo për keq dhe kostoja më e rëndë dhe e vazhdueshme e asaj trashëgimie është kostoja që kanë paguar dhe paguajnë pensionistët”, tha Rama.

“Thonë disa u bëtë 11 vjet në qeveri akoma diskutoni për të shkuarën, po akoma për këtë arsye. Është shumë e rëndësishme se kujt ia beson qeverinë dhe kujt i ngelet në dorë qeveria sepse ja si ndodh. Kur ne e nisëm këtë detyrë, e kishim Prodhimin e Përgjithshëm të vendit nën 10 miliardë euro. Sot është 24 miliardë dhe i afrohet 25 miliardë euro. Kemi rritur volumin ekonomik të vendit me dy herë e gjysmë. Pagat sot janë rritur, qoftë në aspektin e Prodhimit të Përgjithshëm, qoftë pagat ne sot jemi të parët në rajon për rritjen e pagave”, u shpreh Kryeministri.

/e.i/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Blinken: Trupat e Koresë së Veriut pritet të hyjnë në luftë kundër Ukrainës në ditët në vijim
Artikulli tjetërUASHINGTON – SHBA i premton Ukrainës pajisje ushtarake me vlerë 425 milionë dollarë