Ballina Aktualitet

20-vjetori i themelimit të LSI, Meta: Hapi faqe të re në jetën politike

TIRANË 6 shtator /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha sot një mesazh në 20-vjetorin e themelimit të LSI.

Meta u shpreh se LSI 20 vite më parë hapi një faqe të re në jetën politike të vendit, që ndihmoi aq shumë për zhbllokimin e proceseve të integrimit evropian dhe garantoi dy rotacione demokratike në vend, si dhe imponoi shumë reforma që i shërbyen vendit për integrimin evropian.

Meta shprehu mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që dhanë kontributet e tyre më të çmuara në këtë themelim, duke veçuar edhe ata që siç u shpreh ai “u detyruan të largohen nga vendi, por që mendjen dhe zemrën e kanë këtu”.

Presidenti i PL gjithashtu shprehu një keqardhje për të gjithë ata që e nisën si idealistë dhe përfunduan si patronazhistë dhe patronazhiste.

“Dhjetëra “bihen”, mijëra ngrihen! Unë personalisht jam 20 herë më i ri se 20 vite më parë dhe 20 herë më i fortë se 20 vite më parë”, theksoi Meta.

“Shqipëria me 5 prioritetet tona do të bëhet me 4 milionë shqiptarë plus shumë shpejt dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë”, përfundoi mesazhin e tij Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtesta e opozitës para bashkisë, Policia: Do të bllokohen disa rrugë
Artikulli tjetërFOKUS – SHBA akuzon hakerat rusë për shënjestrimin e Ukrainës dhe vendeve të NATO-s