TEHERAN, 21 gusht /ATSH-DPA/- Parlamenti i Iranit miratoi kabinetin e ri të presidentit Masoud Pezeshkian, pasi përfaqësuesit ranë dakord për të 19 kandidatët, njoftoi të mërkurën kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf.
Një grua emërohet për herë të dytë në historinë e Republikës Islamike: Farzaneh Sadegh për të drejtuar Ministrinë për Rrugë dhe Zhvillim Urban.
Ministri i ri i Jashtëm do të jetë Abbas Araghchi, një diplomat me përvojë dhe ish-kryenegociatori i marrëveshjes bërthamore të Vjenës.
Esmaeil Khatib, i cili është subjekt i sanksioneve amerikane, ruan postin e ministrit të Informacionit dhe kreut të shërbimit të inteligjencës, të cilin e mbajti nën presidencën e të ndjerit Ebrahim Raisi.
Eskandar Momeni, i cili është oficer në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe ish-zëvendësdrejtuesi i zyrës së prokurorisë, merr rolin e ministrit të Brendshëm.
Amin-Hossein Rahimi mbetet ministër i Drejtësisë.
Ministri i Kulturës dhe Udhëzimit Islamik Abbas Salehi rikthehet në postin që mbajti nga viti 2017-2021 nën presidencën e Hassan Rohanit.
Ministri i ri i Financave Abdolnaser Hemmati është një ish-guvernator i Bankës Qendrore të Iranit dhe kandidat presidencial në vitin 2021.//a.i/





















