TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, ka kërkuar verifikim të plotë të punës për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
Vendimi i Rrumbullakut, ka ardhur pas arrestimit të efektivit të policisë të komisariatit numër 4, i cili akuzohet për veprime korruptive.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, Rrumbullaku ka firmosur masën disiplinore “përjashtim nga policia” për punonjësin K.P. Ky punonjës u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në vijim të hetimeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Përjashtimi i nënkomisar K. P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Gjithashtu, Rrumbullaku kërkoi nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, kryerjen e një hetimi të thelluar disiplinor, jo vetëm për punonjësin e policisë, por për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
“Duhet të evidentohet shumë qartë, me një punë të shpejtë dhe profesionale, e gjithë përgjegjësia e linjës drejtuese për sa i përket rastit konkret, duke marrë masat përkatëse. Drejtuesit e strukturave ngarkohen me përgjegjësi direkte për veprimet e tyre dhe të vartësve, ndaj kërkoj një verifikim të plotë të rastit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë”, u shpreh ai.
Rrumbullaku vlerësoi bashkëpunimin me AMP-në e Prokurorinë dhe shprehu angazhimin maksimal për thellimin e tij.
/r.e/























