Ballina Aktualitet

Tritoli në banesën e gjyqtarit, Balla: Retorika e ngarkuar nga politikanët nxit akte të tilla

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, gjuha dhe retorika e ngarkuar nga politikanë të caktuar kundër institucioneve të drejtësisë, kundër gjyqtarëve apo prokurorëve të caktuar është një gjuhë nxitëse e akteve si ai i vendosjes së tritolit në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj.

Në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare ku ndodhej për të raportuar mbi shqyrtimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9270, datë 29.7.2004, “Për sistemin e adresave”, të ndryshuar, Balla foli për aktin e vendosjes së tritolit në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj.

Pas deklaratës së deputetit të opozitës Asllan Dogjani se, kjo ngjarje duhet zbardhur sa më shpejt, Balla tha se, “e nxis edhe unë që Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë të bashkohet me dënimin e atij akti prej burracakësh ndaj një magjistrati”.

Balla gjithashtu informoi Komisionin përgjegjës për mbulimin e veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të sigurisë se, “Policia e Shtetit prej momentit të parë të marrjes së informacionit lidhur me këtë ngjarje ka ngritur një grup pune, së bashku me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër”.

Balla u shpreh se, “hetimet po ecin mirë, ka një pistë, e cila mund të na çojë në zbardhjen e të gjithë organizimit dhe të ekzekutimit të kësaj ngjarjeje”.

Balla përsëriti apelin “që gjuha dhe retorika e ngarkuar edhe nga politikanë të caktuar kundër institucioneve të drejtësisë, kundër gjyqtarëve apo prokurorëve të caktuar është një gjuhë nxitëse e akteve të tilla dhe secila nga pushtetet, përfshirë këtu dhe pushtetin legjislativ duhet të vetëpërmbahet dhe politika duhet të kuptojë që ka ardhur fundi kur nga karriget e politikës mund të intimidohej drejtësia”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNJU JORK – WSJ: Armëpushimi Izrael-Hamas përmes dy fazave
Artikulli tjetërNJU JORK – Studentët e ”Columbias” bllokojnë ”Hamilton Hall”