TIRANË, 25 prill/ATSH/ Komisioni hetimor lidhur me shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi nisi sot me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Nënkryetari i komisionit Plarent Ndreca përsëriti qëndrimin e mazhorancës për të vijuar fillimisht me miratimin e planit hetimor dhe pastaj me kërkesat për informacion.
“Nuk mund të ketë fillim hetimesh pa miratuar së pari Planin Hetimor. Kjo është qartësisht e shprehur në ligj. Në komisionin hetimor janë depozituar të dy planet e hetimit, jo vetëm nga ekspertët e komisionit, nga të dy palët e propozuara nga dy forcat politike. Për sa kohë është depozituar plani i hetimit referuar ligjit nuk duhet të humbim asnjë minutë kohë për të filluar nga hetimi parlamentar. Radha e punës që është propozuar nga ana ime edhe me shkrim, është miratohet plani dhe pastaj bëhet kërkesa për marrje provash”, theksoi Ndreca.
Ndërkohë përfaqësuesit e opozitës kanë refuzuar të operohet në këtë mënyrë, duke kërkuar fillimisht miratimin e kërkesave për informacion e pastaj miratimin e Planit Hetimor.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, shprehu keqardhjen pasi sipas saj, anëtarët e mazhorancës kanë ardhur në komision për të penguar hetimin parlamentar.
“Miratimi i planit fillon në momentin që janë mbledhur faktet dhe provat. Këto mblidhen pasi merren informacionet e kërkuara nga institucionet apo kompanitë private. Në asnjë rast plani hetimor nuk miratohet në komision pa marrë provat e nevojshme dhe të mjaftueshme. Ne jemi nismëtarët, kemi kërkuar që të ngrihet komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi, kemi një objekt të komisionit, është depozituar plani paraprak, pra si do hetohet sipas kërkesës që ka bërë opozita, si do hetohen dy koncesionet sterilizim dhe check up”, nënvizoi Vokshi.
“Fillohet me kërkesat për informacion, pasi vijnë kërkesat për informacion kalohet plani”, tha Vokshi.
Ndërsa deputetja e PD-së, Ina Zhupa u shpreh se “ne këtu funksionojmë mbi bazën e ligjit. Ligji në asnjë moment nuk thotë që nga plani paraprak kalohet tek plani i hetimit dhe pastaj mblidhen informacionet”.
Në vijim të mbledhjes së Komisionit Hetimor për Kontratat e Partneritetit Publik Privat në Shëndetësi, Plarent Ndreca i kërkoi kryetares Albana Vokshi të zhbllokojë punën dhe të vijohet me miratimin e Planit Hetimor.
“Ti je kthyer në një padrone të komisionit. Ju nuk bëni dot transparencë te partia juaj, ç’transparencë do bëni ju këtu”, iu drejtua Ndreca-Vokshit.
Përfaqësuesit e PS në këtë komision hetimor thanë gjatë fjalës së tyre kërkesat për informacion e marrje prove mund të kalohen vetëm pasi të miratohet Plani Hetimor.
Ndreca replikoi me kryetaren Albana Vokshi dhe i kërkoi të hidhet në votim rendi i ditës. Ndreca ripërsëriti qëndrimin e PS-së për të vijuar sa më parë me hetimin.
Komisioni vijoi me debate, ndërsa Vokshi dhe anëtarët e PD-së në komision kërkuan vijimin me miratimin e rendit të ditës. Nënkryetari Ndreca replikoi me Vokshin, kryetaren e komisionit.
“Ti je kallëzuese penale, je njeriu më i papërshtatshëm për të drejtuar këtë komision. T’i harroni tentativat tuaja t’i imponoheni shumicës. Prokurori alla-Enver këtu nuk ka. Propozimi im për të vijuar punën; PS kërkon fillimin e hetimeve. Ju po i bllokoni kërkesat. Por është në respekt të procedurës pasi të miratohet Plani i Hetimit të vijohet me kërkesat për marrje provash. Keni 3 javë rresht që keni akuzuar me pa të drejtë sikur ne kemi penguar punën”, deklaroi Ndreca.
/k.s/























