Ballina Flash

Policia identifikon dhe shpall në kërkim 3 autorët e plagosjes në Lezhë

TIRANË 7 mars /ATSH/ Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim tre shtetasit që qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit të 54-vjeçarit Agron Puka dhe po punon intensivisht për kapjen e tyre.

Në një njoftim për mediet, Policia ka arrestuar edhe 54-vjeçarin Puka, pasi rezulton se edhe ai ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve me një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje.

“Si rezultat i hetimeve profesionale, administrimit të menjëhershëm të pamjeve nga kamerat dhe veprimeve të tjera në vendngjarje, të kryera menjëherë pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit A. P., rreth orës 08:00 të datës 06.03.2024, në fshatin Rrilë, Lezhë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti”, bën të ditur Policia.

Sipas njoftimit, “për rastin u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasit V. T., 32 vjeç, banues në fshatin Tale, A. K., 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe K. N., 18 vjeç banues në Shëngjin”.

“Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, për shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, kanë tentuar të ndalojnë automjetin me të cilin lëvizte shtetasi A. P dhe më pas kanë qëlluar drejt këtij automjeti, me armë zjarri”, bën të ditur Policia.

“Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi nga hetimet rezultoi se ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Ai aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës, ku është jashtë rrezikut për jetën. Pistoleta e shtetasit A. P. u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, bashkë me municion luftarak. Ndërkaq, punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e 3 të shpallurve në kërkim”, përfundon njoftimi i Policisë së Lezhës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPEKIN – Kina kërkon dhënien fund të vrasjeve të civilëve në Gaza
Artikulli tjetërDenoncimi i Leka Zogut, Prokuroria nis hetim për “Dhunë në familje”