TIRANË, 29 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “plani i ri i rritjes përmes instrumentit të financimit të Ballkanit Perëndimor na jep mundësinë të aplikojmë dhe të marrim fonde për energjinë, infrastrukturën, fushën digjitale dhe kështu me radhë”.
I pyetur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin e BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, nëse i ka përgatitur Shqipëria idetë për projektet e tjera të mëdha dhe nëse mund të presin shqiptarët më shumë para sivjet, Rama u shpreh se, “e kuptoj pyetjen për paratë, por mendoj që e përmenda tashmë sesa e madhe është kjo mundësi që kemi këtu, kur vjen fjala tek paratë, kur thashë se vetëm duke ulur koston e transaksioneve financiare, apo për ta thënë shumë thjeshtë, shqiptarët jashtë që dërgojnë para’ në shtëpi dhe që paguajnë 6 herë më shumë sesa paguajnë evropianët kur dërgojnë para’ nga njëra pikë në tjetrën brenda BE-së shkon në një vlerë kursimi prej gjysmë miliardi për rajonin”.
“Vlera e transaksioneve aktualisht që kryhet nga qytetarët tanë përmes bankave, sa u përket dërgesave është e ulët. Shumica e kësaj vlere vjen me para’ në dorë. Një prej arsyeve, arsyeja kryesore është kostoja, sepse dërgon para’ në shtëpi përmes bankës dhe paguan koston e transaksionit që është 6 herë më e lartë që paguan fqinji yt austriak që çon para’ në Suedi. Janë 24 milionë. Është shifër e ulët sa i takon numrit të transaksioneve, por është vlerë e jashtëzakonshme. 34 milionë euro do të kursehen dhe do të mbeten në xhepat e qytetarëve, të familjeve të zakonshme shqiptare”, shtoi Rama.
“Meqë po flasim për para’, sot edhe për shkak të pengesës për një kohë të gjatë të “Ballkanit të Hapur”, pengesës për një kohë të gjatë të Procesit të Berlinit, pengesës për një kohë të gjatë të CEFTA-s, vazhdojmë të kemi një rajon ku koha e pritjes së kamionëve është 26 milionë orë. Ndërsa në BE nuk ka pritje. Nëse do të shkoni tek pika doganore e Qafë Thanës do të shihni aty një kanal mbi të cilin duhet të keni arritur në korsinë e gjelbër, që e kemi bërë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Po çfarë presupozohet të bëjmë sot dhe më tej në kuadër të planit të ri të rritjes, korsitë e gjelbra. Por korsi të gjelbra midis të gjithëve ne dhe korsi të gjelbra midis nesh dhe BE-së. Pra, korsi të gjelbra midis nesh dhe Italisë, korsi të gjelbra midis nesh dhe Greqisë dhe anasjelltas. Korsi të gjelbra midis Malit të Zi dhe Kroacisë. Korsi të gjelbra midis Serbisë dhe Hungarisë dhe kështu me radhë”, tha Rama.
“Vetëm duke shkurtuar me 3 orë për kamionë kohën e pritjes ne mund të rrisim PBB-në tonë me 3%. Janë shumë para’ dhe janë para’ që vijnë vetëm duke shkurtuar procedura burokratike të kota”, theksoi Rama.
“Më shumë sesa kaq, sa i takon projekteve mund t’iu them se pak ditë më parë zv/kryeministrja e Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen me BERZH-in për një hekurudhë të re Vorë-Hani i Hotit. Po përgatitemi të nënshkruajmë të tjera marrëveshje dhe kemi tashmë fonde në dispozicion për këto lloje projektesh të cilat po lëvrohen. Flasim për qindra miliona. Dhe është falë asaj çfarë tha Komisioni, planit të ri të rritjes që përmes instrumentit të financimit të Ballkanit Perëndimor na jep mundësinë të aplikojmë dhe të marrim fonde për energjinë, infrastrukturën, fushën digjitale dhe kështu me radhë”, u shpreh Rama.
“Mendoj që kemi një mundësi të madhe përpara nesh. Na takon ne të përfitojmë prej saj apo ta humbasim. Por do të ishte një gabim i jashtëzakonshëm historik që ta humbisnim. Ashtu siç është një turp i madh. Është turp që ne nuk ia dolëm për 10 vjet, të gjithë ne, të 6 ne, të punojmë në këtë drejtim. Sot do të kishim qenë në një pozitë shumë më të mirë dhe këta djem do të duhej të na jepnin shumë më tepër. Por kur shohin që kanë të bëjnë me një grup vendesh që duan të jenë pjesë e BE-së dhe pengojnë lëvizjen e lirë brenda njëri-tjetrit, thonë jo, së pari bëjeni më njëri-tjetrin, për të na treguar që ne nuk po afrohemi me ata që shkaktojnë me shqetësime dhe bela, por që po afrohemi me vende që ndajnë të njëjtën mendësi”, theksoi Rama.























