TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shtyrë për në datën 21 shkurt seancën e radhës gjyqësore për dosjen e njohur si “Gërdeci”. Në seancën e ditës së sotme në listën e dëshmitarëve ishte edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, i cili nuk u paraqit duke qenë se jeton në SHBA. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar të marrë në pyetje ish-ministrin Fatmir Mediu.
Ish-ministri Fatmir Mediu, në një prononcim për mediet nënvizoi se ka kërkuar prej kohësh përballjen me Hoxhën, por dhe ish-funksionarët e tjerë. Ai tha se ka 16 vite që pret të merret në pyetje nga prokuroria, teksa u bën apel të gjithë dëshmitarëve të marrin pjesë në gjyqe për të kontribuar në zbardhjen e së vërtetës.
“Në këtë proces gjyqësor prej disa kohësh nuk ka asnjë dëshmitarë të thirrur nga prokuroria, që të ketë bërë edhe një grimë deklarate për marrëdhënie apo ndikim nga ana e ministrit, apo veprime të paligjshme të ministrit”, tha Mediu.
“Të gjitha akuzat e hedhura si për përcaktimin e vendit të demontimit, apo të tjera, kanë dalë qartësisht se janë përcaktuar nga palët sipas propozimit të Shtabit të Përgjithshëm. Po ashtu procesi i demontimit është ndjekur nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk lidhen me fushën e veprimit dhe autoritetin e ministrit”, vuri në dukej Mediu.
Ish-ministri i Mbrojtjes, nën hetim për çështjen Gërdeci, tha se “për më tepër, edhe ai që pretendohet si dëm ekonomik, për shkak të transportit, është plotësisht e provuar tashmë që marrëdhënia mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe MEKO-s është brenda sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, me vendim të qeverisë. Ky qarkullim mallrash që bëhet, është bërë pa pagesë”.
“Për sa i përket marrjes sime në pyetje, do të konsultohem me avokatët e mi. Dua t’ju them që kam pritur mbi 16 vite që të pyetem nga prokuroria. Prokuroria e ka pasur të gjithë mundësinë për të më thirrur dhe pyetur, por asnjëherë nuk ka denjuar të më marrë në pyetje për të parë qëndrimin tim për këtë çështje… Ballafaqimi me Luan Hoxhën është kërkuar, unë s’kam më shumë autoritet se gjykata e prokuroria. Ballafaqimi dhe e vërteta është gjëja më e mirë. Ministri i Mbrojtjes ka detyrat dhe autoritetin e vet, shefi i shtabit ka autoritetin e vet dhe të caktuar me ligji. Çdo autoritet ka ligjin mbi të cilin funksionon dhe përmes së cilit ndahen funksionet me autoritet e tjera”, tha Mediu.
Sakaq, sot, Gjykata urdhëroi policinë të gjejë dëshmitaren Anjola Agolli, sekretare e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi. Gjykata ka kërkuar gjithashtu përsëritjen e fletëthirrjes për Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxollin.
/r.e/























