Ballina Flash

Basha: Palët politike në Shqipëri të vendosin interesin kombëtar mbi gjithçka

TIRANË, 31 janar/ATSH/Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme disa komunikime live në Instagram, ku ka prekur disa tema të ndryshme.

Duke folur për Kosovën, Basha ripërsëriti apelin për palët politike në Shqipëri që të vendosin interesin kombëtar mbi gjithçka dhe të miratojnë amendamentin në buxhet për ndihmë ushtarake 50 milionë euro për Kosovën.

“Gjëja e parë që do të ndryshojë, nuk do të ketë një qasje si patronazhist por si bashkëpunëtorë i gjithë lidershipit politik të shqiptarëve në Ballkan dhe kudo ata jetojnë. Dera jonë do të jetë e hapur për të gjithë. Por dua t’u them dhe këtë, ndryshimi la filluar që tani. Si kryetar i Partisë Demokratike kam çuar në Parlament amendamentin financiar, ushtarak për Kosovën me vlerë 50 milionë euro. Pra gjithçka do të jetë për interesin kombëtar dhe asgjë nuk do të prevalojë mbi interesat kombëtar. As interesat politike, aq më pak personale”, tha Basha.

“Me një program të mirë, që po përgatitet nga ekspertët më cilësor të Shqipërisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, me një ekip të përbërë me zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja me reputacion në shoqëri që gëzojnë besimin tuaj. Kjo do të jetë oferta jonë, është në dorën tuaj të zgjidhni ofertën më të mirë, Partia Demokratike do të jetë kjo ofertë në zgjedhjet e ardhshme. Me një kulturë të re politike që do të bashkojë të gjithë energjitë pozitive të shoqërisë, do të bëjë të mundur ndryshimin që duam të gjithë”, shtoi ai.

“Sa i takon çështjes së aktivitetit, unë jam në një aktivitet të përditshëm. Por ka një keqkuptim, sikur të qenit në televizion është baraz me aktivitet. Jo! Në fakt kur je gjithë kohën në televizion, nuk ke kohë të angazhohesh me njerëzit. Me njerëzit, për njerëzit, kjo është oferta jonë, ju do të jeni gjyqtarët me votën tuaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, u shpreh Basha.

Duke folur për arsimin, Basha tha se “Arsimi sot është në nivel të mjerueshëm, këtë e tregojnë edhe vlerësimet e Pisa-s. Por kjo nuk mund të na frenojë në ambiciet që kemi. Dhe ambicja është shqiptarët të kenë mundësi t’ju japin fëmijëve të tyre arsimin më të mirë në ballkanin perëndimor”.

“Për këtë duhet të investojmë tek mësuesit, tek infrastruktura shkollore dhe universitare dhe duhet të bëjmë të mundur që çdo familje shqiptare pavarësisht prej të ardhurave të kenë mundësi t’ju japë fëmijëve të tyre arsimin universitar. Jo thjesht një diplomë, por një profesion për të nesërmen që t’ju garantojë paga dinjitoze, të ardhura të mjaftueshme për një jetë të mirë për ta dhe familjet e tyre. Shumë shpejt ky program do të shpaloset në detaje, do të kemi mundësi ta debatojmë së bashku.”, u shpreh Basha.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQeveria miraton përgjegjësitë dhe si do të organizohet Agjencia e Inteligjencës Financiare
Artikulli tjetërRama: Qendra e re e shërbimeve të transportit rrugor në Mat eliminon vajtje-ardhjet për 13 mijë shoferë