Ballina Bota

GJERMANI – Ekonomia në recesion të vazhdueshëm

BERLIN, 15 janar /ATSH-DPA/ – Produkti i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë u tkurr me 0,3% në 2023, sipas shifrave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave, duke treguar se ekonomia më e madhe e Evropës është në një recesion të vazhdueshëm.

Agjencia vlerësoi se ekonomia u tkurr me 0,3% në tremujorin e katërt për të përfunduar vitin.

“Zhvillimi i përgjithshëm ekonomik u lëkund në Gjermani në vitin 2023 në një mjedis që vazhdon të shënohet nga kriza të shumta,” tha sot kreu i agjencisë, Ruth Brand.

Gjermania përjetoi një rritje të PBB-së prej 1,8% në vitin 2022, e cila u ngadalësua ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.

Shpenzimet e konsumatorit kanë rënë përballë inflacionit të vazhdueshëm, ndërkohë që eksportuesit e vendit kanë patur një kërkesë të ngadaltë globale për eksporte, duke përfshirë Kinën.

Sipas të dhënave paraprake, norma mesatare e inflacionit për vitin ishte 5,9%, shifra e dytë më e lartë që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990.

Shifra më e lartë u njoftua në vitin 2022, me një normë inflacioni prej 6,9%.

“Pavarësisht rënieve të fundit të çmimeve, ato mbetën ende të larta në të gjitha fazat e procesit ekonomik duke krijuar një pengesë në rritjen ekonomike”, tha Brand.

“Kushtet e pafavorshme të financimit për shkak të rritjes së normave të interesit dhe kërkesës së dobët të brendshme dhe të jashtme kanë shkaktuar gjithashtu ndikimin e tyre”, shtoi ai.

Ekonomistët nuk parashikojnë një rimëkëmbje ekonomike në Gjermani as gjatë vitit 2024. Shumë studiues ekonomikë kanë ulur pritshmëritë e tyre në parashikimet e fundit.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKontingjenti i III-të i anijes “Lissus”, pjesë e misionit të NATO-s në Egje
Artikulli tjetër140 mjete plotësuan kriteret për statusin RETRO në 2023