TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi sot Forcat e Sigurisë Kombëtare, Forcat “RENEA” dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë për reagimin në kohë për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Balla vlerësoi organet ligjzbatuese për kapjen dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorit të ngjarjes në Lezhë.
“Parandalimi dhe reagimi në kohë janë elemente kryesore të rritjes së parametrave të sigurisë”, u shpreh ministri.
Policia e Kurbinit parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale, pasi një 41-vjeçar mori armën e zjarrit në banesë, dhe qëlloi në drejtim të banesës së një 60-vjeçari, për shkak të një konflikti të çastit, duke iu rrezikuar seriozisht jetën familjarëve.
Pas kërkimeve dhe ndjekjes intensive, të kryera gjatë natës, në territorin e fshatit Malbardhë, nga Policia e Kurbinit, Forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Lezhë, Forcat e Sigurisë Kombëtare dhe forcat speciale “RENEA” u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit.
Gjithashtu në këtë zonë shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit pushkë me të cilën qëlloi i arrestuari.
/m.m/























