Ballina Aktualitet

Rama: Rishikim i zonave të mbrojtura, në ekuilibër me perspektivën ekonomike

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria është në një fazë rishikimi të zonave të mbrojtura.

Në fjalën e tij në prezantimin e tri ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës, Rama u shpreh se, “sot, ne jemi në një fazë rishikimi të zonave të mbrojtura që vijnë si rezultat i një kërkese të vazhdueshme këmbëngulëse të një numri të konsiderueshëm kryetarësh bashkish, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e konsolidimit të natyrës, por të cilët janë natyrshëm me ambicie dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik dhe social. Dhe kombinimi i këtyre të dyjave është një domosdoshmëri”.

Rama theksoi se, “as fantazimi symbyllur i njërës palë për të kundërshtuar çdo gjë dhe as pa diskutim nevoja për të prekur çdo gjë në emër të zhvillimit, nuk duhet të na pengojë që ne të gjejmë një ekuilibër sa më harmonik mes të dyjave, gjë që programi dhe projekti i Vjosës si park kombëtar do të vazhdojë të na udhëheqë dhe cilido që do të jetë përballë nesh për të na treguar se si mbrohet natyra, se si duhet të jemi të vetëdijshëm për mbrojtjen e natyrës, se si nuk duhet të prekim asgjë rreth e rrotull ne do t’i kujtojmë Parkun Kombëtar të Vjosës”.

Rama u shpreh se “ky është nga vendimet më të mëdha dhe më të guximshme dhe më të rëndësishme për të ardhmen që një qeveri mund të merrte. Ashtu sikundër e tha dhe zoti Hardcastle, nuk është e rastit që dhe në një forum global si ai në Montreal, ku ishin mbledhur shtete shumë më të mëdha me shumë më tepër resurse sesa Shqipëria dhe me shumë më tepër natyrë për të mbrojtur sesa Shqipëria, ky vendim është konsideruar si një vendim realisht i fortë dhe i admirueshëm për këtë”.

Por, shtoi kreu i qeverisë, “të admirosh këtë vendim duke e parë Shqipërinë nga larg dhe duke u kujtuar vetëm për zogjtë, për peshqit dhe për lulet, pa pasur parasysh komunitetet e njerëzve, dhe familje, dhe të reja dhe të rinj që duhet të kenë një perspektivë ekonomike në gjithë atë territor dhe duhet të kenë arsye për ta parë të ardhmen e tyre aty në atë territor është shumë e lehtë. Ndërsa ta shohësh të parën, duke mos harruar kurrë të dytën është një sfidë më vete dhe ne jemi të gatshëm që ta përballim këtë sfidë dhe ndihemi shumë të fortë në përballjen e kësaj sfide saqë nuk jemi vetëm, por kemi një aleat shumë të fuqishëm, siç është ‘Patagonia’, dhe nuk është vetëm ‘Patagonia’. ‘Patagonia’ është si të themi aleati lider në një koalicion aleatësh. Janë institucione, që janë shoqata, që janë grupe dhe organizata mendjehapur, me eksperiencë dhe jo vetëm me dëshirë, dhe mbi të gjitha me respekt, me respekt ndaj të gjitha arsyeve tona”.

“Ne çdo gjë e mirëpresim kur vjen si kritikë, kur vjen si rezervë, kur vjen si kërkesë, kur vjen si sugjerim, por ne jemi gjithmonë e më pak të prirur të mirëpresim mungesën e respektit”, nënvizoi Rama.

Rama falënderoi të gjithë ata që konkurruan për të hyrë në këtë finale, arkitektë, peizazhistë, ekspertë të mjedisit me eksperience të madhe ndërkombëtare.

Ai i uroi sukses finalistëve si dhe falënderoi edhe anëtarët e jurisë.

Rama theksoi se përzgjedhja nuk do jetë e lehtë pasi të tre finalistët janë vërtetë njëri më i mirë se tjetri për ta kryer këtë punë.

Kreu i qeverisë shprehu bindjen e plotë që “ky projekt, i cili do fillojë të materializohet menjëherë pas përzgjedhjes së fituesit do të jetë projekti që do të hapë pikërisht edhe atë shteg të perspektivës së të ardhmes, jo vetëm për peshqit dhe për zogjtë, dhe për lulet, por dhe për njerëzit, dhe mbi të gjitha për vajzat dhe djemtë që rriten në mes të kësaj mrekullie të natyrës, por që nuk mund të jetojnë vetëm duke parë natyrën, por kanë nevojë të gjejnë të gjitha arsyet që jetën e tyre ta ndërtojnë në atë zonë, duke pasur mundësinë të jetojnë po aq mirë sa vetë Vjosa, të mbrojtur, të mbështetur dhe të financuar nga aktiviteti i tyre ekonomik dhe social”.

Tri kompanitë pjesëmarrëse në garë janë “Casanova+Hernandez Architecten”, Roterdam, Holandë, CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO, Kopenhagë, Danimarkë dhe “Ensamble Studio”, Madrid, Spanjë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCertifikata mirënjohjeje për vullnetarët më të dedikuar, Veliaj: Krenar për secilin prej jush
Artikulli tjetërNikolla: Edukimi arsimor, pjesë e procesit të edukimit me vlerat evropiane