Ballina Aktualitet

Nikolla: Edukimi arsimor, pjesë e procesit të edukimit me vlerat evropiane

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti në Konferencën Kombëtare “Kultura e pluralizmit dhe gjithëpërfshirjes në edukim: Integrimi i vlerave evropiane në sistemin shqiptar të arsimit”, organizuar sot në Hotel “Tirana” nga Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik dhe Komisioni Shqiptar për Arsimin Katolik.

Në përshëndetjen e saj në Konferencë, Nikolla e vlerësoi këtë nismë si një nga pikëtakimet e shoqërisë me besimin dhe të edukimit fetar me edukimin arsimor e qytetar.

“Edukimi arsimor është pjesë e procesit të edukimit me vlerat evropiane. Edukimi evropian buron nga rrënjët e identitetit evropian të shqiptarëve. Sinergjia midis kulturës pluraliste e demokratike dhe edukimit qytetar përbën një garanci për qëndrueshmërinë e formimit kulturor të vajzave e djemve të Shqipërisë”, tha Nikolla.

Kryetarja e Kuvendit u shpreh se, “kontributi i institucioneve dhe i vlerave fetare në procesin edukimit ndihmon në brendësimin e dijeve, vlerave, normave qytetare e demokratike në personalitetin e të rinjve, sepse edukimi është një çështje e zemrës”.

“Karakteri gjithëpërfshirës i edukimit mbështet karakterin gjithëpërfshirës të pjesëmarrjes së qytetarëve, sidomos të rinisë, në proceset demokratike e shoqërore. Në Kuvendin e Shqipërisë po tërheqim më shumë rininë në procesin parlamentar dhe veprimtaritë e tjera. Instituti Parlamentar dhe Punishtja e Demokracisë, kanë tërhequr gjatë këtij viti rreth 5 mijë nxënës shkollash, duke e bërë Kuvendin një institucion më të hapur e më influencues për qytetarët dhe rininë”, nënvizoi Nikolla.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Rishikim i zonave të mbrojtura, në ekuilibër me perspektivën ekonomike
Artikulli tjetërAmbasadori Malaj takohet me deputetë të Kuvendit të Kosovës