Ballina Ekonomi

Manjani: Kërkesa për zanate e profesione në tregun e punës më e lartë se kurrë, paga dinjitoze

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani deklaroi sot se arsimi profesional është një ndër mekanizmat që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë së vendit.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Tiranë, me drejtues të shkollave profesionale dhe të gjimnaze për ndërgjegjësimin e të rinjve drejt arsimit profesional, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Manjani u shpreh se arsimi e formimi profesional zhvillon aftësitë e nxënësve në teori dhe praktikë profesionale, për të qenë gati për punësim.

“Ekonomia e Shqipërisë ka qenë vazhdimisht në një trajektore rritëse dhe është shoqëruar me zhvillime shumë të shpejta të teknologjisë. Të dyja këto kanë ndikuar dhe kanë një lidhje shumë të ngushtë me dinamikën e tregut të punës. Kërkesa për zanate e profesione ka qenë më e lartë se kurrë. Mjafton të përmendim sektorin e turizmit këtë vit. Ka qenë një sezon tepër i suksesshëm. Kemi pritur deri tani rreth 9 milionë turistë më shumë, që në shifra e përkthejmë më shumë se 3-fishi i popullsisë së vendit. Presioni për t’u shërbyer sa më mirë është ndjerë në tregun e punës dhe forcën e punës që i shërbejnë këtij sektori”, u shpreh Manjani.

Zv/ministrja Manjani vuri në dukje se sistemi i arsimit dhe programet e formimit profesional janë tërheqëse dhe u siguron të rinjve pagë konkurruese.

Sipas saj, gati 60 % e studentëve punësohen që në bankat e shkollës dhe 95 % e tyre kryejnë praktika pranë bizneseve.

“Nxënësit marrin një diplomë që jo vetëm është shumë e marketueshme në tregun e punës, por sigurojnë një punë të denjë dhe një pagë konkurruese. Sipas studimit të fundit të gjurmimit të nxënësve të arsimit dhe formimit profesional, gati 60 % e nxënësve kanë gjetur punë që në bankat e shkollës. Kjo tregon se ky sistem është elastik. Ndikim ka dhe bashkëpunimi i ngushtë që shkollat profesionale kanë me bizneset. Mbi 95 % e nxënësve kryejnë praktikat profesionale, jo vetëm brenda laboratorëve dhe ambienteve të praktikave profesionale, por në gjithë rajonet ku janë vendosur shkollat profesionale. Kjo ka sjellë edhe lehtësi në punësimin e studentëve’, tha ajo.

Me një investim minimal në shkollat e arsimit profesional, u shpreh ajo, arrijnë të sigurojnë këto përfitime.

Manjani theksoi se arsimi profesional po shikohet si një zgjedhje e mirë edhe në vendet e rajonit dhe BE-së.

“Në të gjitha vendet e rajonit dhe veçanërisht në vendet e BE-së, mesatarja e nxënësve që studiojnë në arsimin profesional është 48 %. Peshën në të madhe në këtë mesatare e kanë tre vende, që jo rastësisht janë dhe vendet më të zhvilluara të BE-së, Gjermania, Zvicra dhe Austria. Këto vende ofrojnë sistemet dual të arsimit, ku nxënësit pjesën më të madhe të kohës ja dedikojnë praktikës profesionale nëpër biznese dhe një ditë të javës në ambientet e shkollës”, u shpreh ajo.

Sipas saj, edhe Shqipëria do të shkojë drejt sistemit dual, ku nxënësit pjesën më të madhe të kohës ta kalojnë në praktikë pranë bizneseve.

“Lëvizja drejt një sistemi të tillë është e rëndësishme. Me investimin e duhur dhe garantimin e cilësisë që shkollat profesionale e përbëjnë shumë mire, pasi kanë njësitë e tyre zhvillimore, që janë ura koordinuese midis nxënësve të arsimit profesional dhe bizneseve, sigurojmë pikërisht këtë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun punës. Nuk është pak që një në dy nxënës në vendet më të zhvilluara të Europës të studiojnë në arsimin profesional, që do të thotë se kjo është sot përgjigjja e duhur për kërkesat që ka tregu i punës në lidhje me sigurimin e aftësive të duhura”, u shpreh zëvendësministrja.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMediu: Propozojmë institucionalizimin e federatës së opozitës
Artikulli tjetërNdahet nga jeta aktori i dashur i humorit, Zef Deda