Ballina Ekonomi

Vidhnin energji elektrike, procedohen në polici 11 subjekte private

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Pas inspektimeve të shumta që kanë kryer në muajin tetor, strukturat e kontrollit pranë OSSH-së, pjesë e OSHEE Group, kanë konstatuar raste të abuzimit me energjinë elektrike në disa zona të vendit.

Nga raporti i punës së Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve (DKRH), referuar 1584 kontrolleve të ushtruara në rang vendi, janë zbuluar dhe proceduar në Policinë e Shtetit 11 subjekte private, pasi janë kapur në flagrancë duke vjedhur energji elektrike me linjë të dyte ose duke ndërhyrë në matës.

Nga kontrollet u zbuluan edhe 24 subjekte private, që tarifoheshin si klientë familjarë, ndaj të cilëve u morën masat sipas akteve të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike.

Përmes strukturës së posaçme, OSSH-ja ka për detyrë kontrollin dhe verifikimin e vazhdueshëm të sistemit të matjes dhe të faturimit dhe, për rrjedhojë, për muajin tetor ka rikuperuar 2.2 milionë kilovatë energji elektrike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKonferenca rajonale në Tiranë sjell praktikat më të mira në sektorin e ujit
Artikulli tjetërTaskforca ndërinstitucionale, MAS: Kontrolle në të gjithë vendin për standardet e kopshteve