Ballina Aktualitet

Rrumbullaku pret drejtorin e Drejtorisë Hetimore Antimafia të Italisë: Konsolidim i urave të bashkëpunimit

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit mirëpritën në ambientet e DPPSH-së, një delegacion të lartë të Policisë italiane, që kryesohej nga drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia, Maurizio Vallone dhe përbëhej nga përfaqësues të kësaj drejtorie dhe nga përfaqësues të zyrës së Interforcës italiane në Shqipëri.

Diskutimet gjatë kësaj vizite u fokusuan tek intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve, për të hetuar në mënyrë të përbashkët, grupet kriminale të trafiqeve, që veprojnë në të dyja vendet, si dhe për të bashkërenduar aksionet policore me qëllim shkatërrimin e këtyre grupeve, arrestimin e pjesëtarëve, si dhe sekuestrimin e aseteve financiare të tyre.

Drejtori i përgjithshëm falënderoi Vallonen dhe përfaqësuesit e zyrës së Interforcës italiane në vendin tonë, për partneritetin e ofruar nga këto struktura dhe nga policia italiane në tërësi.

Drejtori theksoi se ky partneritet ka gjeneruar rezultate tejet pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe shprehu bindjen se raportet e bashkëpunimit dhe të miqësisë do të zhvillohen edhe në aspekte të tjera policore, për të garantuar sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve.

Drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia të Italisë vlerësoi Drejtorin e Përgjithshëm, për aktivizimin e plotë të Policisë së Shtetit, kryesisht gjatë viteve të fundit, për të marrë pjesë, për të koordinuar dhe për të drejtuar operacione të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e narkotikëve, në fushat e tjera të trafiqeve dhe kundër krimeve kufitare.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPANJË – Një sondazh surprizë nxjerr PSOE-n përpara PP-së
Artikulli tjetërManastirliu: 3 mjekë të rinj i bashkohen Spitalit Rajonal Berat