Ballina Flash

Haradinaj: Kurti të kalojë në anën e duhur, kjo është thirrja ime e fundit për të

PRISHTINË, 9 qershor/ATSH/ Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit Albin Kurti dhe pavendosmërisë së presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Ish-kryeministri Haradinaj ka shkruar në rrjete sociale se Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot.

“Hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti e ka momentin e fundit të kalojë në anën e duhur, dhe kjo është thirrja e tij e fundit për të.

“Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces”, shkroi ai. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Shtëpia e Bardhë: Irani po ndihmon Rusinë të ndërtojë një objekt dronesh
Artikulli tjetërLejuan ndërtime pa leje, AMP procedon 3 punonjës policie në Gramsh