Ballina Flash

Policia, masa për mbarëvajtjen e dy etapave të fundit të turit çiklistik

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Turi i 80-të çiklistik i Shqipërisë, me pjesëmarrjen e 15 ekipeve nga vende të ndryshme të botës dhe 150 garues, ka nisur që prej 22 majit e do të vijojë deri më 26 maj.

Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e sigurisë së çiklistëve dhe për lehtësimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar.

Shërbimet e Policisë Rrugore, ato të patrullave të përgjithshme dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, në bashkëpunim me organizatorët e aktivitetit ndërkombëtar “Turi i 80-të çiklistik”, që po zhvillohet në vendin tonë, kanë marrë masa për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, për sa i përket sigurisë rrugore dhe sigurisë së rendit publik.

Aktiviteti çiklistik përfshin 5 etapa garash me itinerare të gjata, në disa nga asket rrugore kombëtare. Kanë përfunduar me sukses 3 etapa të këtij turi dhe do të zhvillohen më datat 25 dhe 26 maj, 2 etapat e fundit të tij.

Më datë 25.05.2023, në orën 12:00, me itinerarin Lungomare, Vlorë – Fier – Mbrostar Ura, Fier – Levan – Tepelenë dhe përfundon në Përmet, në orën 18:30.

Më datë 26.05.2023, në orën 10:00, me itinerarin Qendra e Përmetit – Tepelenë – Levan dhe përfundon në Fier, në orën 13:00.

Policia e Shtetit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët për mirëkuptimin gjatë 3 fazave të këtij aktiviteti çiklistik, si dhe apelon dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin qarkullimin në akset rrugore që janë pjesë e itinerarit, në oraret e zhvillimit të aktivitetit, gjatë 2 etapave të fundit të tij.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPRAGE – Republika Çeke porosit 246 automjete luftarake
Artikulli tjetërKAS këqyr fletët e votimit për 5 kuti për këshillin e bashkisë Pukë