Ballina Aktualitet

Ambasada e Italisë, pritje për grupin parlamentar të miqësisë

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ Në Rezidencën e Ambasadorit të Italisë, u zhvillua mbrëmjen e sotme pritja tradicionale për nder të Grupit Parlamentar të miqësisë Shqipëri-Itali.

Të pranishëm në këtë event ishin Nën/kryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Zëvendës Kryetari i Parlamentit,  Agron Gjekmarkaj, Kryetari i Grupit të Miqësisë, Arben Pëllumbi si dhe deputetë të Kuvendit.

Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve teksa vuri theksin tek marrëdhëniet mes dy vendeve.

Takimi, i pari pas emergjencës së shkaktuar nga COVID, është një moment i rëndësishëm për të nxjerrë edhe një herë në pah marrëdhëniet e shkëlqyera mes Italisë dhe Shqipërisë si edhe për të promovuar, vetëm pak muaj nga nisja e punimeve të legjislaturës së re të Parlamentit italian, diplomacinë parlamentare mes të dy vendeve.

Kjo veprimtari synon të kremtojë miqësinë e veçantë që ekziston mes dy vendeve e, posaçërisht, mes dy parlamenteve, thelbësore kjo për promovimin e vlerave të një demokracie funksionale dhe të rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

Kremtimet janë gjithashtu një moment feste edhe për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Italia e ka mbështetur gjithmonë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, mbështetje e cila është ofruar edhe në këtë drejtim pra, nëpërmjet organizimit te seminareve të ndryshme ndërparlamentare mbi procesin e integrimit evropian.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia e Shtetit, arrestohen 24 shtetas për vepra të ndryshme penale
Artikulli tjetërNis riparimi i Pallatit Kinez në qendër të Shkodrës