Ballina Ekonomi

Nis riparimi i Pallatit Kinez në qendër të Shkodrës

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Qeveria shqiptare po financon riparimin e Pallatit Kinez në qendër të Shkodrës. Vlera e financimit llogaritet rreth 9 milionë lekë.

Deputeti i PS, Benet Beci bëri të ditur sot se, financimi po kryhet me kërkesë të bashkisë Shkodër, me financim 100% nga buxheti i shtetit përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas tij, në këtë pallat po ndërhyhet në fasadë me synim përmirësimin e efiçencës termike, veshjen me kapotë, si dhe suvatim e lyerje.

Beci i shoqëruar nga drejtuesi i zyrës së zhvillimit rajonal të FSHZH-së dhe stafi teknik pa sot nga afër punimet teksa takoi gjithashtu edhe banorë të këtij pallati.

“Në familjet e Xhixha Lisajt, Midush Shabajt dhe Flamur Haxhisë biseda është e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë. Të gjithë më thonë se e kanë mirëpritur këtë investim, i cili jo thjesht do të përmirësojë aspektin viziv të fasadës, por që çka është më e rëndësishme do të bëjë që banesat t’i ruajnë më mirë temperaturat. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e pagesës për energjinë elektrike apo lëndëve të tjera për ngrohje”, theksoi Beci.

“Si kudo tjetër në Europë efiçenca e energjisë është një fushë e rëndësishme sidomos në këtë kohë krize të çmimeve të energjisë. Ky program i qeverisë shqiptare po financon punime të tilla nëpër disa bashki të vendit përfshirë dhe Shkodrën. Kam diskutuar mundësinë që këtë nismë të dobishme ta mbështesim dhe në blloqe të tjera pallatesh në qytet dhe jam i sigurt që do ta realizojmë shumë shpejt”, u shpreh ai.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasada e Italisë, pritje për grupin parlamentar të miqësisë
Artikulli tjetërRaquel Welch vdes në moshën 82-vjeçare