Ballina Ekonomi

Tuneli i Llogorasë përfundon në shkurt të vitit që vjen

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se tuneli i Llogorasë do të përfundojë në shkurt të vitit që vjen.

Gjatë një interviste në media, Balluku u shpreh se formacionet e mira gjeologjike që kanë gjetur në zonë e kanë ndihmuar projektin, ndërsa rezervat ujore kanë dalë jashtë parashikimeve, pasi prisnin më shumë ujë.

“Ne kishim parashikuar që të gjendeshin burime që do të përdoreshin për furnizimin e pjesës së jugut duke qenë se aty kemi një shtim të investimeve sa i përket ndërtimit dhe vizitorëve. Sa i përket tunelit në fund të muajit shkurt, jashtë çdo parashikimi dhe kontrate, tuneli i Llogorasë do të shohë dritë”, deklaroi Balluku.

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë me gjatësi 5.9 kilometra ka nisur më 14 nëntor të vitit 2021.

Tuneli i Llogorasë nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës. Me një shpejtësi 50-80 km/orë, rruga do të përshkohet për 7-10 minuta.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTregu valutor, forcohet euroja, bie dollari
Artikulli tjetërNga java e ardhshme fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në Kosovë