Ballina Flash

Rama: 41 marrëveshje në proces me universitete prestigjioze ndërkombëtare

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, universitetet shqiptare kanë 41 marrëveshje në proces me universitete prestigjioze të huaja për programe të përbashkëta.

Në fjalën e tij në në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri për dhënien e “Medaljes së Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute, Rama tha se, “universiteti po ndryshon dhe më vjen shumë mirë që numri juaj që kanë vendosur të studiojnë këtu këtë vit është më i madh sesa në të shkuarën, 87% e ekselentëve kanë vendosur të studiojnë në Shqipëri. Dhe të jeni të bindur që nuk keni bërë gabim. Jo se universitetet tona ofrojnë të njëjtën cilësi të universiteteve cilësore në vende të ndryshme të Evropës, por sepse po të shikoni situatën edhe në vende të ndryshme të Evropës sot me këto kushte krize dhe problematikash shumë të rënda, jo të gjitha universitetet, gjithmonë e më pak universitete e ofrojnë atë gjënë që duket nga larg. Janë shumë masive, janë shumë të ngarkuara e kështu me radhë”.

“Keni bërë shumë mirë, sepse universiteti po ndryshon dhe jo sepse dua unë që të jetë kështu, por sepse janë disa fakte që fillojnë dhe e tregojnë ndryshimin. Dhe një nga faktet është rritja shumë e konsiderueshme e marrëveshjeve me universitetet e tjera për programe të përbashkëta të shkallëve të ndryshme, për shkëmbime cilësore dhe 41 marrëveshje që janë në proces janë me universitete prestigjioze. Universitetet prestigjioze nuk bëjnë marrëveshje programesh të përbashkëta për të arritur deri tek diploma e përbashkët, në rast se dallimi është i madh”, tha Rama.

“Tjetra është që po të shikoni aksesin e universiteteve shqiptare me shtysën që ne po përpiqemi t’i bëjmë, por edhe me angazhimin e tyre në fondet evropiane, është një rritje tjetër e konsiderueshme”, tha Rama, i cili mori shembullin e Universitetit të Tiranës.

“Nuk është e rëndësishme që nga 45 pak a shumë pedagogë në 800, që arrinin të kishin akses në fondet evropiane, kemi sot 400. Vetëm në 2 vitet e fundit është bërë kjo rritje. Por e rëndësishme është që, jo vetëm, kanë hyrë në programe financimi për projekte të përbashkëta me të tjerë, por në disa prej tyre lider është Universiteti i Tiranës. Pra 1, 2, apo 3 universitete të BE-së me Universitetin e Tiranës marrin një financim dhe lider është Universiteti i Tiranës, që do të thotë që ndryshimi po ndodh. Natyrisht, jo aty ku duam të jemi, se po të ishim aty ku duam të jemi s’do isha unë këtu, por hap pas hapi po ndodh”, u shpreh Rama.

“Tjetra, që është prapë një gjë e re, që ata 3, 4, 5 vjet përpara nuk do ta gjenin dhe s’e kanë gjetur rrugës, që sot kanë përfunduar studimin, anglishtja. Kemi gjithmonë e më shumë programe në anglisht në UT. 22 programe në anglisht. S’kishim asnjë deri pak kohë më parë. Por u bënë përgatitjet, u dhanë disa prova që kjo mund të funksiononte dhe sot kemi 22 programe në anglisht”, theksoi Rama.

“Tjetra, që përsëri ata që ishin përpara dhe që kanë qenë këtu nuk e kanë dëgjuar, sepse nuk ishte, është programi i sportit, është programi i kodimit për të gjithë atë pjesë që merret me teknologji, që merret me bio-teknologji e kështu me radhë, që mund të jetë një drejtim plotësues, komplementar shumë i rëndësishëm për nesër, por edhe për sot. Sepse nëse futesh në një program kodimi dhe nëse arrin ta kalosh atë program kodimi që është një program intensiv 6 muaj, 8 muaj apo pak më pak, me certifikim ndërkombëtar, atëherë ti ke mundësi të fillosh punë duke bërë njëkohësisht edhe universitetin. Po të fillosh punë nga kompjuteri, jo të shkosh diku në punë, po të fillosh punë nga kompjuteri dhe të punësohesh në çdo pikë të globit që mund të gjesh punë. Edhe kjo nuk është një dëshirë, se kështu duhet të ndodhë, por programi ka ardhur si rezultat i faktit që kjo lëvizje ka filluar”, nënvizoi Rama.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Poundi rritet kundrejt dollarit pas dorëheqjes së Truss
Artikulli tjetërHapet në Kuvend ekspozita “U rritëm në BE”, pasqyron rrugëtimin e Çekisë