TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi deklaroi sot se, “Engjëll Agaçi u shfaq dje në dyert e Prokurorisë së Posaçme – SPAK”.
“Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është një prej aktorëve kryesorë në masakrën financiare, që deri më tani u ka shkaktuar taksapaguesve shqiptarë një dëm prej gjysmë miliard euro”, tha ai.
“Ai nuk është në krye të skemës, por është arkitekti i saj. Partia Demokratike rithekson me bindje se Edi Rama, shefi i tij, është ai që e mban skemën në lëvizje, dhe ai që e mundëson atë”, tha Këlliçi.
Por, shtoi Këlliçi Agaçi ka përgjegjësitë e tij, të cilat nuk janë të pakta. Akuzat ndaj tij janë plot 9, nga shpërdorimi i detyrës, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, fshehje e të ardhurave, e deri tek moskallëzim krimi.
“Shpresojmë që thirrja e tij në SPAK të mos jetë një vizitë rikonjicioni, për t’i hedhur hi syve medies dhe opinionit, por ora kur përgjegjësit të fillojnë të japin llogari”, theksoi Këlliçi.
“Inceneratorët nuk janë një obsesion politik, por një fakt i cili u shfaq edhe në progres-raportin e Bashkimit Evropian. Ata janë qartësisht një vepër e mafies në dëm të taksapaguesve, dhe një tallje e përditshme e pushtetit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt me qytetarët e tyre”, tha Këlliçi./j.p/





















