TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Deputeti demokrat Belind Këlliçi ishte i ftuar në Capitol Hill në Uashington DC, ku takoi 19 kongresmenë dhe ish-kongresmenë me të cilët ndau shqetësimin mbi gjendjen e demokracisë në Shqipëri, rritjen e autokracisë, arbitraritetit të qeverisë dhe përkeqësimin e standardeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Sipas zyrës së shtypit të PD-së, Këlliçi mori mbështetjen e miqve amerikanë se një opozitë e fortë, e pakapur dhe që lufton çdo ditë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, është rruga më e mirë për t’i shërbyer vendit dhe marrëdhënieve jetike me partnerin e çmuar strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kapja e drejtësisë nga qeveria përmes një reforme të njëanshme dhe me axhendë, nuk i shërben qytetarëve dhe interesit publik. Po ashtu, mora garancinë se vëmendja ndaj zhvillimeve në Shqipëri, do të rritet nga ana e tyre, si dhe përpjekjet për të parë realitetin në sy, ashtu siç është, të pa deformuar nga faktorë të ndryshëm”, shprehet Këlliçi.
Për sa i përket korrupsionit në Shqipëri si një çështje e papranueshme dhe që duhet marrë shumë seriozisht, Ķëlliçi ka siguruar miqtë amerikanë se Partia Demokratike është e angazhuar në betejë për ruajtjen e demokracisë dhe vlerave të lirisë, si aseti më i madh publik në një vend me orientim e vokacion pro perëndimor dhe se Partia Demokratike ka qenë në 32 vitet e fundit dhe do mbetet edhe në 100 vitet e ardhshme promotor kryesor i miqësisë dhe bashkëpunimit të Shqipërisë me SHBA.
“Patëm dakordësinë se qëndrimet e vërteta dhe transparente të miqve dhe partnerëve amerikanë dhe europianë do ta ndihmojnë Shqipërinë për daljen nga udhëkryqi”, ka theksuar deputeti Belind Këlliçi.























