TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko deklaroi sot në Kuvend se “suksesi i Reformës në Drejtësi është shansi i vetëm që vendi ynë të ketë të ardhme”.
“Raportimet e institucioneve të reja të drejtësisë në Kuvendin e Shqipërisë kanë qenë të rëndësishme. Në këto raportime ndihet rreziku që sistemin e ri të drejtësisë ta ‘vrasë’ pavarësia që Kuvendi dhe asistenca e Perëndimit i ofroi me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore. Marrëdhënia e Prokurorit të Përgjithshëm me strukturën e re të drejtësisë është një krizë e pashpallur. Ndërsa në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), marrëdhënia midis Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit ka cilësi të luftës së ftohtë'”, tha ai.
Majko theksoi se mungesa e koordinimit në organet e akuzës është shqetësuese dhe me “fajtorë pa faj”.
“Përfaqësuesit e drejtësisë duhet të mirëkuptojnë se konfuzioni që vjen nga aplikimi i Reformës në Drejtësi po rrit kontrollin e antiligjit në shoqëri. Në trupën e drejtësisë ka njerëz të cilët nuk duken të interesuar për fuqinë apo lirinë e ofruar nga reforma e drejtësisë. Ata ‘duan’ të kontrollohen si më parë, pasi vlerësojnë më të rëndësishme rehatinë dhe sigurinë”, shtoi Majko.
Sipas tij, “reforma e Drejtësisë e krijoi shpresën në shoqërinë shqiptare dhe pritshmëria tashmë rrezikon të kthehet në kundërshtare të saj”.
“Përballë pritshmërive të publikut disa skandale korruptive po publikohen më parë në media nga interesat e politikës. Përballë kësaj situate organet përgjegjëse të drejtësisë heshtin ose lëshojnë deklarata të tipit “Dhalla”, a thua nuk e kanë kuptuar se suksesi i Reformës në Drejtësi është shansi i vetëm që vendi ynë të ketë të ardhme. Në media, pak kohë më parë, u publikua me bujë lajmi për plagosjen e maçokut “Pipo”, në Fier. Nuk mund t’u besoje syve kur lexoje se prokuroria e Fierit kishte regjistruar në kohë rekord procedimin për veprën penale të “keqtrajtimit të kafshës”. Veprimi i gjykatës pas kësaj, ishte thuajse model. Drejtësia për maçokun “Pipo” të mbush me optimizëm dhe ironi”, tha më tej ai.
Majko theksoi se publiku shqiptar nga reforma e drejtësisë ndërkaq pret rezultate dhe jo një teatër partizan.
“Taksapaguesit presin që drejtësia të veprojë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pas raportimit në Kuvend, për të tretin vit radhazi, të institucioneve të reja të drejtësisë mund të thuhet se kemi një pamje të asaj që ka filluar. Por, deri tani, suksesi i reformës në drejtësi është kryesisht administrativ. Është e rëndësishme të vlerësohet se ecuria e reformës nuk mund të përkufizohet nga gënjeshtrat dhe sekretet. Ajo nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit që burgosën, por me ata të cilëve u jep drejtësi. Sot, Shqipëria e vitit 2022, ka mbledhur mjaftueshëm probleme. Aktualisht, drejtësia krahas krimit dhe korrupsionit, ka edhe një kundërshtar tjetër. Ai është populizmi dhe qëllimi i pashpallur i tij për çmontimin e shtetit ligjor. Populizmi di ta përdorë të vërtetën për të gënjyer. Edhe për këtë arsye, vendosja e drejtësisë në Shqipëri është përballur me përfaqësuesit e politikës populiste”, vijoi më tej Majko.
Ai theksoi se “institucionet e reja të drejtësisë kanë nevojë sot për përkrahje, pasi vendosja e drejtësisë është revolucioni i kohës sonë”.
“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të trokasë rebelizmi i populizmit dhe sistemi do të bjerë.
Uroj që të ndodhë e duhura! Dhe bërja e gjësë së duhur jo gjithmonë të bën të ndihesh mirë. Prangat duhet të tringëllojnë në dyert e politikës dhe lidhjet e saj me krimin e organizuar. Shpresoj që kjo periudhë e vendosjes së drejtësisë të mos mbajë emrin e maçokut “Pipo””, tha më tej Majko.
Si ish-anëtar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Majko u shpreh optimist për të ardhmen.
“Kam bindjen që reforma, po prodhon ‘sasinë’, e cila do të kthehet në cilësinë që publiku pret. Kjo synim do të realizohet nga profesionistët, gjyqtarët dhe prokurorët me kurajo, të cilët e duan vendin dhe të ardhmen e tij. Unë besoj se kjo ka për të ndodhur”, tha ai. /m.m/r.e/























