Ballina Aktualitet

Berisha: Të gjitha pushtetet, në dorë të një partie

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se, sot në Shqipëri të gjitha pushtetet janë në dorë të një partie dhe një njeriu.

Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha u shpreh se, “denoncoj qeverinë e cila nuk sjell në Parlament marrëveshjet e ekstradimit me vendet e Beneluksit dhe këtë nuk e bën për faktin e vetëm se të paktën 6 ministra dhe shumë e shumë deputetë socialistë janë kandidatë për ekstradime”.

“E shtuna e 4 qershorit 2022 do gdhendet në memorien e kohës si një ndër ditët më të zeza në historinë e demokracisë shqiptare. Ajo ishte dita e funeralit të sistemit demokratik në Shqipëri. Me uzurpimin me votat e rrëmbyera të shqiptarëve të institucionit të fundit shtetëror që kishte mbetur jashtë kontrollit të PS-së, atij të presidentit, në vend u rivendos sistemi monist i plotë dhe u varros sistemi i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve të garantuar me Kushtetutë”, tha Berisha.

“Me emërimin më 4 qershor nga pseudomazhoranca të gjeneral Bajram Begajt President i Republikës së Shqipërisë, sot në Shqipëri njëlloj si dikur në diktaturën hoxhiste, të gjitha pushtetet janë në dorë të një partie dhe një njeriu. Sot si asnjëherë më parë në 31 vite, në pushtetin ekzekutiv, çdo ministër, zv.ministër, drejtor dhe Sekretar i Përgjithshëm është i vetëm një partie, PS-së”, theksoi Berisha.

“Sot, njëlloj si në të shkuarën tonë moniste, të gjitha institucionet e larta shtetërore të konsideruara si të pavarura apo autonome, si ai i Presidentit, KLSH, Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe atij të Ushtrisë, Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Komisionarit të të Dhënave Private, krerëve të Bordeve të Konkurrencës, të Energjisë, Bordeve Rregullatore të Telekomunikacionit janë të PS-së”, shtoi ai.

“Sot në narkoshtetin shqiptar të gjithë drejtuesit e institucioneve më të larta të drejtësisë, KLGJ, ILD, KLP, KPK, KLAP-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, çdo gjykatë, si e Lartë dhe çdo gjykatës i Kushtetueses që nuk i ka mbaruar mandati dhe i tillë është vetëm një, është përzgjedhur dhe emëruar nga mazhoranca e PS. Kurrë ndonjëherë që nga diktatura e Enver Hoxhës një kontroll i tillë total partiak mbi drejtësinë nuk ka ekzistuar”, theksoi Berisha.

“Data 4 qershor 2022 shënon zhdukjen përfundimtare të çdo lloj kontrolli të pushteteve, me abuzimet e tyre me qytetarët, publikun, interesat e vendit, kusht vendimtar për ushtrimin e tyre në mënyrë kushtetuese dhe demokratike. Me zgjedhjen dy ditë më parë të presidentit socialist nga mazhoranca socialiste u zhduk përfundimisht gjurma e fundit e balancës midis pushteteve, kusht vendimtar për të mos patur një pushtet monist, antidemokratik dhe antikushteutes”, tha Berisha.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali: Do të votonim 10 herë rresht për kandidaturën e Bajram Begajt
Artikulli tjetërMeta: Dekreti për Begajn në zbatim të Kushtetutës