Ballina Aktualitet

Spiropali: Do të votonim 10 herë rresht për kandidaturën e Bajram Begajt

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, PS do të votonte 10 herë rresht për kandidaturën e Bajram Begajt si President.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali u shpreh se, “edhe nëse mund të ktheheshim 10 herë rresht pas procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke pasur parasysh se cili ishte rezultati i tij final, sërish do të votonim të njëjtën zgjedhje. Do të votonim 10 herë rresht për kandidaturën e doktor Begajt dhe të gjeneralmajor Bajramit”.

Spiropali u shpreh se, PS respektoi frymën e Kushtetutës që kërkon një President mbi palët.

“Ky ishte dhe thelbi i ofertës tonë për opozitën, të përfaqësuar nga grupi parlamentar i PD-së dhe grupet e tjera të përfaqësuara në Kuvend. Nuk kishim asnjë prapavijë tjetër mendimi përveçse të identifikojmë mjetet më të efektshme për të dalë tek zgjidhjet më të mira. Na keqkuptuan vetëm ata që nuk donin të kuptonin”, tha Spiropali.

“Bashkëbiseduesit tanë vunë më shumë se njëherë në dyshim legjitimitetin tonë, hodhën gurë mbi durimin tonë dhe nga pozitat e pafuqisë dhe të arrogancës vendosën kushte pas kushtesh. Një pakicë e rrudhur brenda pakicës, vendoste kushte njëra pas tjetër, duke bërë gjithmonë e më të qartë se në këtë proces nuk ishte për të gjetur zgjidhjen e kërkuar, por e shihte vetë procesin si një mundësi të artë për t’u legjitimuar brenda vetë opozitës”, u shpreh ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManja: Asnjë kërkesë nga shtetet e Benelux-it për nënshkrim marrëveshje ekstradimi
Artikulli tjetërBerisha: Të gjitha pushtetet, në dorë të një partie