TIRANË, 3 qershor /ATSH-I.Vata/ Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për zbardhjen e ngjarjes ndodhur sot në Shkodër.
Policia e Shtetit në njoftimin e saj paraprak bën të ditur se për zbardhjen e ngjarjes janë nisur në drejtim të Shkodrës grupe të RENEA-s.
“Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër. Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë. /a.a/r.e/























