TIRANË, 24 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka kërkoi sot dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Në një deklaratë për mediet, Noka u shpreh se, “Policia e Shtetit, që duhet të garantojë me ligj sigurinë e qytetarëve shqiptarëve, sot është një nga organizatat më të degraduara të shtetit shqiptar”.
“Vrasja mes policëve mbrëmë në mes të Tiranës, brenda komisariatit, si dhe plagosja me armë e një qytetari nga një polic tjetër po në komisariat, janë tregues të degradimit që qeveria e Edi Ramës i ka shkaktuar organizatës së policisë së Shtetit”, tha Noka.
“Gjatë këtyre 9 viteve të Edi Ramës në pushtet kanë ndodhur 2 gjëra kryesore për sigurinë e qytetarëve: Policia e Shtetit është dobësuar, krimi i organizuar është fuqizuar”, u shpreh Noka.
“Duke u shprehur keqardhjen familjarëve të viktimës dhe duke i uruar shërim të shpejtë të plagosurit, Partia Demokratike dënon me ashpërsi ngjarjet e ndodhura mbrëmë në 2 komisariatet e policisë. Të dyja ngjarjet kanë përgjegjës. Nuk janë vetëm ata që kanë kryer krimin drejtpërsëdrejti. Ata janë pasqyre e një sistemi të kalbur e të degraduar nga eprorët e tyre politikë”, theksoi Noka.
“Më së paku, sot dorëheqjen duhet ta japë Ministri i Brendshëm. Gjatë drejtimit të tij, në komisariate po vriten policët, po digjen papritur komisariatet me të arrestuar brenda, po gjoja vetëvriten të arrestuar të tjerë. Ministri i Brendshëm nuk ka çfarë të presë më! Ai nuk është në këtë detyrë për të bërë policin e trafikut dhe për të urdhëruar shtetrrethim, kur në Tiranë luhet futboll”, përfundoi Noka. /j.p/






















