TIRANË, 13 prill /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi sot se, “raporti i DASH vërteton më së miri të gjitha shqetësimet, denoncimet dhe akuzat e Partisë Demokratike dhe të opozitës”.
“Vullneti i shqiptarëve është deformuar nga një qeveri që bleu votat, që përdori buxhetin e shtetit dhe sistemin kriminal të patronazhimit, duke ekspozuar mbi 900 mijë qytetarë përballë presionit politik të partisë në pushtet”, u shpreh Noka në një deklaratë për mediet.
“A është sistemi i drejtësisë i pavarur? Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë jo”, tha Noka.
Noka citoi edhe raportin duke u shprehur se, “megjithëse Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.
“Shqiptarët e dinë se kush e ka fuqinë për t’i bërë presion drejtësisë. Ka një emër, që duhet të jetë në krye të listës si pengmarrës i drejtësisë së pavarur! Ky është Edi Rama. Një nga shfaqjet më brutale të këtij presioni, Edi Rama e dha gjatë kongresit të Partisë Socialiste, kur i tregoi SPAK-ut kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm”, tha Noka.
“Partia Demokratike ka votuar për një drejtësi që t’i japë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisë, por me Edi Ramën që kontrollon çdo pushtet, ky mision është i minuar”, shtoi Noka.
“Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë, pavarësisht bindjeve politike, për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie që të drejtat e shqiptarëve i shet dhe i blen për karrigen personale të Edi Ramës”, theksoi Noka.
/r.e/






















