Ballina Aktualitet

Zjarri në komisariatin e Kamzës, arrestohen dy policë dhe tre të tjerë në hetim

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Dy policë janë arrestuar dhe tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pas zjarrit që përfshiu mbrëmjen e një nate më parë ambientet e paraburgimit në Komisariatin e Policisë në Kamëz, ku ndërroi jetë një 26-vjeçar.

Në përfundim të hetimeve paraprake nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në bashkëpunim me ekspertë kriminalistë dhe ata zjarrfikës, nën drejtimin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë u arrestuan në flagrancë, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, punonjësit e policisë: Inspektor F. I., 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë; Inspektor H. B., 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.

Po kështu, për shkak të mos ushtrimit të kompetencave dhe moskryerjen e veprimeve për parandalimin e ngjarjeve të rënda të kësaj natyre, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, janë proceduar në gjendje të lirë edhe punonjësit e policisë: Inspektor L. M., 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë; Inspektor M. M., 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë; Komisar Y. Ç., 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.

Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë ka ndërruar jetë në spital shtetasi A.M., 26 vjeç, i arrestuar si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa kanë mbetur të lënduar (jashtë rrezikut për jetën) shtetasit D.I., i arrestuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë, si dhe punonjësi i policisë, H.B.

Pas hetimeve paraprake, janë krijuar dyshime të bazuara në fakte dhe prova ku si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të punonjësve të Policisë të këtij komisariati, të cilët nga pakujdesia dhe në kundërshtim me procedurat standarde dhe rregullat teknike të trajtimit të personave të ndaluar dhe arrestuar, kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga shtetasit e arrestuar A.M. dhe D.I., të cilët kanë shkaktuar zjarrin në këto ambiente.

Nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë qëllim vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, përcaktimin e saktë të vatrës së zjarrit dhe mjeteve që kanë shërbyer për vënien e zjarrit në ambientet e brendshme të dhomave të paraburgimit të këtij Komisariati, nga ekspertët e shërbimit zjarrfikës, ndërsa grupi hetimor vijon edhe gjatë ditës së sotme këqyrjen e vendit të ngjarjes për mbledhjen e provave.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

/k.s//a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për fëmijët me aftësi ndryshe e rindërtuar pas tërmetit
Artikulli tjetërShqipëria dinjitoze ndaj Spanjës, mundet në sekondat e fundit