TIRANË, 1 mars /ATSH/ Ka hyrë në fuqi sot më 1 mars, vendimi i marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë për ndërtimin e një regjistri publik të operatorëve të shërbimeve të pagesave, me qëllim promovimin e transparencës dhe konkurrencës në këtë treg.
BSH-ja bën të ditur se, pjesë e këtij regjistri janë institucionet e pagesave, institucionet e parasë elektronike, ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë dhe agjentët e subjekteve të pagesave.
Regjistri do të përmbajë të dhëna nga emri i subjektit, adresën e selisë qendrore të subjektit, kapitalin fillestar të paguar, identitetin e aksionerëve, e deri edhe numrin dhe datën e vendimit për shfuqizimin e licencës ose numrin dhe datën e vendimit për pezullimin e një ose disa veprimtarive, nga Banka e Shqipërisë.
Të dhënat për institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike do të regjistrohen brenda 15 ditëve nga licencimi, për agjentët brenda dy muajve dhe për ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë brenda tre muajve.
Regjistri i ofruesve të shërbimeve të pagesave do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë dhe do të përditësohet rregullisht nga Departamenti i Mbikëqyrjes pranë këtij institucioni.
/j.p/r.e/























