TIRANË, 1 mars /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vijim të nxitjes së të rinjve për t’u bërë pjesë e gjetjeve inovative në zhvillimin e bujqësisë, zhvilloi konkursin “Agrichallenge”.
Dhjetëra të rinj e të reja u bënë pjesë e këtij konkursi që bën bashkë bujqësinë dhe inovacionin.
Sipas MBZHR-së, pas një pune disamujore, u arrit të përzgjidheshin 9 sipërmarrje startup të cilat shkojnë në finalen e marsit, ku do të subvencionohen financiarisht 3 prej tyre dhe do të mbështeten me këshillim për implementimin e mëtejshëm të projektit inovativ në fushën e bujqësisë.
Të rinjtë sipërmarrës janë të hapur për partneritete, investime dhe 9 projektet që shkojnë në finale janë: mjeti teknologjik që do të ndihmojë fermerët në certifikimin e produkteve të tyre sipas standardeve europiane, komuniteti virtual i fermerëve për të nxitur komunikimin dhe bashkëpunimin, sistemi i automatizimit të serave për të rritur rendimentin dhe mundësinë e monitorimit të fermës në distancë, prototip i implementuar.
Po ashtu, shkojnë në finale platforma CRM që gjurmon prodhimet deri tek klienti final. Prototip i implementuar, mënyra e re dhe inovative e ndërtimit të koshereve për të mos lejuar dëmtimin e drurit nga krimbat, website-i online për informim të fermerëve mbi lajme dhe grante të ofruara, teknologji lokale për përpunimin e vajrave esencialë me produkte 100 % bio, markata virtuale për blerjen e produkteve tradicionale dhe zahireve të dimrit të zonës së Gorës, teknika inovatore e rritjes së bimëve plotësisht në ujë, prototip i implementuar.
Projekti “Agrichallenge” mbështetet nga MBZHR, GIZ Albania dhe bashkia Korçë.
/j.p/r.e/























