Ballina Flash

Jaguar Land Rover ndalon shitjet e makinave në Rusi

LONDËR, 1 mars /ATSH/ – Kompania ”Jaguar Land Rover” (JLR) ka pezulluar dorëzimin e makinave të saj në Rusi për shkak të sfidave të biznesit, shkruan BBC.

Prodhuesi i makinave, i cili ka selinë e tij në Coventry dhe fabrikat në Castle Bromwich dhe Solihull, shiti 6 900 automjete në Rusi vitin e kaluar.

Sanksionet e vendosura nga BM, BE dhe SHBA besohet se po e bëjnë të vështirë për JLR shitjen e makinave në treg.

Kompania nuk dha detaje të mëtejshme.

Në ditët e fundit, edhe korporatat globale, duke përfshirë prodhuesit e automjeteve dhe gjigantët e energjisë kanë ndërprerë marrëdhëniet tregtare me Rusinë.

Një zëdhënës i JLR tha në një deklaratë se prioriteti i tij ishte “mirëqenia e të gjithë fuqisë sonë punëtore dhe familjeve të tyre, si dhe atyre brenda rrjetit tonë të zgjeruar”.

“Mjedisi aktual global na paraqet gjithashtu sfida të biznesit, kështu që ne po pezullojmë shpërndarjen e automjeteve në tregun rus dhe po monitorojmë vazhdimisht situatën në emër të bazës sonë globale të klientëve”, theksoi ai.

Prodhuesi më i madh britanik i makinave, në pronësi të kompanisë indiane ”Tata Motors”, ka një fabrikë prodhuese evropiane me bazë në Sllovaki.

Edhe kompania suedeze ”Volvo” tha gjithashtu se do të ndalojë dërgimin e makinave në Rusi deri në një njoftimin të mëtejshëm.  /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBSH, regjistër për operatorët e pagesave
Artikulli tjetërPërkujtohet myftiu Xhemal Naipi, i dënuar me burg të përjetshëm