Ballina Bota

FOKUS – Borrell: BE të parandalojë shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës

SARAJEVË, 21 shkurt /ATSH-AA/ – Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së tha se ministrat duhet të vendosin se si të ndalojnë retorikën separatiste në Bosnje-Hercegovinë dhe të shmangin shpërbërjen e shtetit.

Këshilli për Punë të Jashtme të BE-së do të takohet në Bruksel për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë, situatën e sigurisë evropiane, por edhe situatën në Bosnje- Hercegovinë.

Para takimit, Borrell tha se ”ngjarjet në BH nuk duhet të shpërfillen”.

“Kjo do të marrë një pjesë të rëndësishme të takimit tonë sot, pasi në Bosnje-Hercegovinë po intensifikohet retorika nacionaliste dhe separatiste dhe kërcënon stabilitetin, madje edhe integritetin e vendit. Ministrat e Jashtëm të BE-së do të duhet të vendosin se si ta ndalojnë këtë dinamikë në Bosnje-Hercegovinë dhe të shmangin që vendi të shpërbëhet. Kjo është një situatë kritike dhe ministrat do të duhet të marrin disa vendime për këtë”, tha Borrell.

Sa i përket Bosnje-Hercegovinës, BE thotë se vendi po përballet me një nga krizat më të thella politike që nga fundi i konfliktit të armatosur të vitit 1995.

Tema kryesore e takimit të sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme do të jetë grumbullimi i ushtrisë ruse rreth kufijve me Ukrainën.

Më 24 janar 2022, Këshilli i Punëve të Jashtme miratoi konkluzione për këtë çështje, duke theksuar faktin se përpjekjet e Rusisë për të rikrijuar vija ndarëse në kontinentin evropian minojnë themelet dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane, duke riafirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur për Ukrainën./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMEPJ: Gjuha shqipe e pakrahasueshme me asnjë tjetër në botë
Artikulli tjetërMbi 100 automjete në off-road drejt “Lapidarit të Linozit”