Ballina Flash

“Çfarë ka qenë Tirona”, Rezarta Delisula sjell dokumente autentike të Arkivit Osman

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Dokumente autentike të gjetura në Arkivin Osman të Kryeministrit të Stambollit jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë vijnë për herë të parë në botimin më të ri të gazetares Rezarta Delisula.

Libri me titull “Çfarë ka qenë Tirona” u promovua sot në lulishten e Galerisë së Arteve, në prani të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku nuk munguan kolegë gazetarë, historianë dhe qytetarë.

Në këtë libër Delisula rrëfen copëza historie që zhvilloheshin në Tiranën e viteve 1800.
“Ky libër është një botim dokumentar për historinë e Tiranës, me dokumente që dalin nga arkivat osmane për herë të parë e që kanë vlerë të padiskutueshme në historinë e kryeqytetit”, shprehet Delisula në parathënien e librit.

Në librin me 452 faqe, Delisula përcjell përmes dokumenteve osmane, kontributin e popullsisë tironse në ndërtimin e institucioneve arsimore, si dhe detaje e kuriozitete të panjohura më parë mbi funksionimin e qytetit dhe qytetarëve.

Po ashtu përmes dokumenteve lexuesi do të njihet se si funksiononte sistemi financiar, me çfarë tregtie merreshin tiranasit e hershëm, si ka qenë bashkëjetesa fetare mes komuniteteve, si organizohej paria e qytetit, investimet dhe arsimi.

Pjesë e librit janë edhe dokumentet e rëndësishme për luftën mes pashallarëve shqiptarë, zbulimi i minierës së Krrabës, etj.

Gjatë fjalës së mbajtur në promovimin e librit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj njoftoi emërimin e Delisulës drejtoreshë të Muzeut Etnografik të Tiranës.

Rezarta Delisula me një eksperiencë të gjatë në media, publikoi në dhjetor të 2018 librin e saj të parë ”Tirana Mahnia”,  një guidë historike, etnografike e zakonore e kryeqytetit, për të cilin u vlerësua me çmimin “Mirënjohja e qytetit”  akorduar nga bashkia e Tiranës.

/k.s/j.p/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTajlandezëve u kërkohet mbajtja e maskës edhe për… Shën Valentin!
Artikulli tjetërKQZ miraton renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit në 6 bashki